Kastrioti bind në miqësore, Ndreu: Na takon neve Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2019 | 17:16

Kastrioti bind në miqësore, Ndreu: Na takon neve Superiorja

Vetëm një javë pasi nisi përgatitjet, Kastrioti zhvilloi dje miqësoren e parë, teksa përballë kishte Turbinën, të cilën e mundi 3-0. Trajneri Ndreu e nisi takimin me vetëm dy titullarë nga sezoni i shkuar, Patrik Bardhi dhe Taulant Marku. Edhe afrimi i vetëm për momentin, Xhulio Mehmeti, e nisi nga minuta e parë.

kastrioti

Përgatitja fizike nuk është ajo e duhura dhe dy trajnerët luajtën me lojtarë të rinj. Loja në minutat e para ishte e vakët, por me kalimin e tyre ritmi u përmirësua. Miqtë dhanë një shkëndijë me Levendin, të cilit ia mohoi golin Puja. Krutanët u kundërpërgjigjen me Bardhin dhe Markun, por goli do të vinte vetëm në minutën e 34-të nga braziliani i ardhur në provë, Borges. Në pjesën e dytë, Ndreu aktivizoi lojtarët në provë dhe Kastrioti shënoi dy gola të tjerë me Berberin dhe Rosajn. Ish-trajneri Bledar Devolli ishte një vizitor special në këtë ndeshje.

ramadan ndreu

NDREU – “Si ndeshje e parë, mund të them se ishim mirë. Kuptohet që pati shumë lojtarë në provë dhe ndeshjet e para kështu janë, mungojnë ato gjërat që janë shumë të rëndësishme, sidomos përgatitja fizike. Gjithsesi, jam i kënaqur, pasi në njëfarë mënyre, ato që prisnim nga lojtarë të veçantë, ishin mirë. Ka lojtarë që vijnë nga ekipe ku nuk janë stërvitur mirë dhe mendoj që t’u japim një ose dy javë kohë. Janë momente të vështira edhe për Superligën, ku lojtarët janë të pavendosur, në Kategori të Parë është edhe më keq. Lojtarët e mirë pretendojnë të luajnë në Superligë edhe kjo është krejt normale, ndaj jemi të detyruar të presim edhe një periudhe të shkurtër për të ndarë se ku do të jemi, në elitë apo këtu. FSHF-ja nuk ka vendosur ende, kështu që duhet të presim. Ne pretendojmë të rrimë më Superligë, pasi aty kemi qenë. Për rregulloren jam i paqartë, të them të vërtetën”, u shpreh trajneri Ndreu pas ndeshjes.

BARDHI – “Kishim për të parë disa lojtarë dhe përgjithësisht jam i kënaqur. Nuk shoh rezultatin, por golat erdhën për faj të rreshtimit taktik. Deri diku kjo ndeshje ia arriti qëllimit”, tha trajneri i Turbinës.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"