Kastrati rikthet te Peskara, Teuta nis kërkimet për portier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 15:46

Kastrati rikthet te Peskara, Teuta nis kërkimet për portier

Teuta vazhdon me përgatitjet intensive me nga dy seanca stërvitore në ditë, me skuadrën që po kompletohet gradualisht. Të shtunën ishte radha e Amadu Latif që të rikthehej në bazë, ndërsa Ante Hrkaç do të vijë disa ditë më vonë për shkak të një problemi familjar.

teuta

Ndërkohë, portieri Elhan Kastrati e ka mbyllur përfundimisht aventurën e tij me “djemtë e detit” dhe do të kthehet te Peskara, klub, i cili ka në pronësi kartonin e tij. 21-vjeçari u transferua te Teuta me formulën e huazimit dhe në fund të sezonit palët kanë vendosur të mos e vazhdojnë më bashkëpunimin. Me largimin e tij, drejtuesit po shohin për një portieri të ri, për të pasur një alternativë për vlonjatin Shpëtim Moçka, pasi në këtë moment alternativa e vetme e 28-vjeçarit është Arlis Shala, i cili është pjesë edhe e kombëtares U-19.

kastrati ogunxhimi skenderbeu teuta

Në fushatën 2017-2018, Kastrati u aktivizua në 19 ndeshje në kampionat dhe një në kupë. Trajneri i portierëve Bledian Rizvani u shpreh shkurtimisht për “Panorama Sport” se Teuta po kërkon një portier të dytë dhe janë duke parë me kujdes disa alternativa, kryesisht nga Shqipëria, por nuk pranoi të japë emra konkret. Ashtu siç deklaroi edhe Bledi Shkëmbi dy ditë më parë, skuadra do të përforcohet në të gjitha repartet.

elhan kastrati

Aktualisht, në Durrës janë në provë dy sulmues, Mustafa Xhixhiua dhe Boubakar Traore, ndërsa brenda javës së ardhshme ekipi pritet të kompletohet, pasi janë në bisedime edhe me një sulmues tjetër.

Si Xhixhiua ashtu edhe Traore kanë treguar një nivel të kënaqshëm në seancat stërvitore, megjithatë Bledi Shkëmbi do të vendosë për ta në ditët në vijim. Të hënën bregdetarët do të zhvillojnë një ndeshje miqësore me të rinjtë e skuadrës dhe aty pritet të dalin në pah shumë cilësi të lojtarëve që janë bashkuar rishtas me skuadrën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"