Kastrati: Në Shkodër shkojmë për pikët maksimale, me Moçkën nuk jemi rivalë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2017 | 11:18

Kastrati: Në Shkodër shkojmë për pikët maksimale, me Moçkën nuk jemi rivalë

Pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, trajneri Magani ka vazhduar normalisht stërvitjen me lojtarët e tij për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë. Trajneri ka pasur të gatshëm të gjithë lojtarët dhe Osamane do të jetë në ekip për këtë ndeshje, por edhe Hakaj parashikohet të jetë i grumbulluar pasi e ka kaluar problemin që ka pasur me muskujt e barkut.

Deklarata

Elhan Kastrati, numri një i portës durrsake, në një prononcim për “Panorama Sport”, është shprehur se durrsakët mund të shkojnë larg, por gjithmonë duke larguar euforinë.

kastrati ogunxhimi skenderbeu teuta

“Pas ndeshjes së parë, ku nuk ishim në formën tonë më të mirë, tani jemi të fokusuar te ndeshja e radhës. Ndaj Luftëtarit na kënaqin tri pikët, por ndaj Vllaznisë duhet të jemi më konkretë dhe më kërkues. Ndeshjet e para janë gjithmonë të vështira, aq më tepër kur në ekip ka shumë lojtarë që mund të kenë ndeshjen e tyre të parë zyrtare me skuadrën”, ka thënë Kastrati.

Rivali

Java e dytë e kampionatit e vendos Teutën përballë Vllaznisë në një transfertë shumë të vështirë. “E kemi ndjekur ndeshjen e tyre me Lushnjën dhe mund të them që kanë ekip të fortë. Duhet angazhim nga të gjithë për këtë përballje, pasi nuk ka ndeshje të lehta apo të vështira në fillimin e kampionatit.

Duhet që skuadra të japë 200%, vetëm 100% nuk mjafton pasi të gjithë ekipet në start duan maksimumin e pikëve. Dhe ne në Shkodër shkojmë për të marrë pikët maksimale siç do të synojmë në çdo përballje. Këto pikë merren në fushë dhe aty do të bëjmë më të mirën tonë”, vazhdoi Kastrati që flet edhe për rivalitetin në ekip.

“Rivaliteti di të them se i bën mirë gjithë ekipit. Trajneri vendos se cili do të jetë titullar në bazë të performancës në stërvitje apo dhe në ndeshje. Unë, por edhe Moçka nuk e shohim njëri-tjetrin si rival, por si shokë skuadre ku luan ai që është më në formë. Grupi dhe harmonia në ekip do të jetë arma jonë më e fortë në këtë drejtim”, ka mbyllur Kastrati.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"