Kasijas-Navas, Spanja eliminon Kroacinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2012 | 10:45

Kasijas-Navas, Spanja eliminon Kroacinë

Një ndeshje e jashtë za-konshme e Iker Kasijasit dhe vetëm një sulm perfekt i Jesus Navas, kështu Spanja më e keqe e kohëve të fundit arrin që të shtypë Kroacinë duke e eliminuar nga Evropiani. Sakaq, ballkanasit humbën edhe rastin e tyre më të mirë me Rakitiç për të bërë edhe surprizën e radhës në këtë Evropian. E megjithatë, Spanja merr vendin e parë në grup dhe pret e qetë sonte skuadrën me të cilën do të ndeshet në çerekfinale.
Ndeshja Kroacia mbrohet me 11 lojtarë. Biliç “dashuron” lojën e ashpër, fizike përkundrejt një Spanje që vazhdon me pasime marramendëse, por që në këtë përballje nuk arrin të ndërsjellë kundërshtarin për ta nxjerrë fillimisht nga zona dhe më pas ta sulmojë aty ku duhet. Arbitri gjerman Stark është thuajse gjithnjë larg aksioneve, por, duke qenë me të njëjtën shtetësi si Papa, besohet se do të arbitrojë drejt. Në fakt, nuk sheh një takë të ngritur të Serxhio Ramosit ndaj Mandzukiçit në linjën e zonës së rreptësisë, që minimalisht duhej të sanksionohej me karton të verdhë ndaj spanjollit. Madje arbitri bën një tjetër gabim: i nxjerr karton të verdhë Korlukas, i cili nuk bën gjë tjetër veçse i tregon se ku kishte gabuar. Kaq mjafton për të krijuar një ide për mënyrën e arbitrimit. Sakaq, i vetmi rast që të rrëqethte në pjesën e parë erdhi nga një goditje e Kasvit nga larg. Gjithsesi, duhet thënë se nuk është fort e pëlqyeshme as kjo Kroaci që, gjatë gjithë pjesës së parë, nuk bën gjë tjetër veçse mbron dhe bën faulle taktike deri në nervozizëm. Goli Në fraksionin e dytë të lojës ndeshja nuk ndryshon edhe aq sa kundër pritej. Kroacia bën të njëjtën lojë, me mbrojtje të ngjeshur, faulle aty-këtu që janë në limitet edhe të kartonëve, teksa arbitri Stark vazhdon të tolerojë. Ndërkohë, Biliç ka krijuar një kurth për Mesin e Spanjës, David Silva, por harrohet disi Iniesta, i cili bën edhe lojën e iberikëve. Transformimi i lojës së kroatëve nis diku nga mesi i kësaj pjese, kur Biliç bën disa ndryshime dhe i kërkon Modriçit që të shikojë më shumë nga porta. Nga ana tjetër, Del Boske nxjerr jashtë një Torers “të fikur” për Jesus Navas, zëvendësim që në fund do të japë edhe rezultatin e kërkuar. Rastin më të mirë e kanë ballkanasit, kur Modriç gjen shumë bukur në zonë Rakitiç, i cili thuajse përballë me Kasijanin kërcen bukur me kokë, por gjen reflekset e jashtëzakonshme të portierit të Spanjës. Edhe një herë kapiteni bëhet protagonist duke ruajtur të paprekur portën e tij. Kroatët nervozohen dhe, kaq u mjafton spanjollëve që pas parabolës së bukur të Fabregasit, vjen Inista që i ul një top të bukur Jesus Navasit, i cili nga ai pozicion nuk mund të gabojë. Është fundi i ndeshjes dhe kaq mjafton që Spanja si e para e grupit të kalojë për në çerekfinale, ndërsa Kroacia bën valixhet duke i dhënë lamtumirën këtij Evropiani.

Dominim i frikshëm i spanjollëve
Spanja është skuadra që dominon kundrejt çdo kundërshtari. Por në ndeshjen ndaj Kroacisë dominimi arriti në shifra të jashtëzakonshme: 72% me 28%. Në total, skuadra e Del Boskes, duke marrë të tria ndeshjet në grupe, ka një dominim prej 63 për qind përkundrejt kundërshtarëve. Pas tyre vijnë francezët me 56 për qind dhe Rusia, tashmë e eliminuar, po me 56 për qind. Renditja vazhdon me Holandën (e eliminuar) me 54 për qind, Gjermaninë po 54 për qind dhe Çekinë me 52 për qind.

ANALIZA E NDESHJES
NJERIU I NDESHJES Gordon Shildenfeld ishte lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme. Mbrojtësi, i cili luan në Gjermani tek Eintraht Frankfurti, e neutralizoi më së miri Torresin duke e nxjerrë krejt jashtë loje.

MË I DOBËTI Mario Mandzukiç. Nëse në dy ndeshjet e para për këtë skuadër ka qenë heroi i ndeshjes, ndaj Spanjës sulmuesi gaboi shumë duke ndëshkuar në njëfarë mënyre lojën e skuadrës së tij.

ÇELËSI I PËRBALLJES Ndeshja mori një rrjedhë tjetër kur trajneri i Kroacisë, Biliç, bëri dy zëvendësime dhe u kërkoi të tijve që të sulmonin. Në atë moment spanjollët patën rastin e mirë për t’u kundërpërgjigjur duke qenë se gjetën hapësira në mesfushën kroate. E VEÇANTA Nuk ndodhi ajo që u përfol gjatë në këtë ditë, pra një barazim 2-2 mes Kroacisë dhe Spanjës, që do nxirrte jashtë Evropianit Italinë.

TAKTIKA Spanja e përqendron më së shumti lojën e saj te dominimi në fushë nëpërmjet pasimeve të shumta dhe marramendëse, por që në pjesën më të madhe të lojës nuk rezultuan efikase për shkak të mbrojtjes së ngjeshur të kroatëve. Vetëm kur ballkanasit menduan të sulmonin, atëherë gabuan dhe pësuan. Kaq mjaftoi që skuadra e Biliç të eliminohej nga Evropiani.

MOVIOLA Arbitri gjerman e drejton mirë ndeshjen dhe gabon vetëm në një rast, kur Serxhio Ramos ndërhyri fort me dy këmbët ndaj Mandzukiç. Në atë moment mbrojtësi i Spanjës meritonte një karton të verdhë, por arbitri ia kurseu.

TOP/FLOP Te Spanja më të mirët pa dyshim ishin Kasijas, i cili bëri një pritje spektakolare dhe Jesus Navas. Ndërsa te Kroacia u dallua Shildenfeld. Në nivel ndërkaq edhe pjesa tjetër e ekipit, paçka golit të pësuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"