Kashami pranon: Do ketë largime nga Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2020 | 23:05

Kashami pranon: Do ketë largime nga Besa

Pas humbjes së thellë ndaj Skënderbeut, Besa e testoi veten në Shijak me Erzenin, ku kavajasit kishin disa mungesa, si Lila, Kardozo, Perja dhe Ndraxhi, të gjithë të dëmtuar. Pavarësisht këtyre mungesave, skuadra e Kashamit fitoi 0-1 në Shijak dhe trajneri kavajas është mjaft optimist.
ndricim kashami

“Në një ndeshje miqësore, i fundit që vlen është rezultati, por kjo s’do të thotë se Besa nuk e dëshiron fitoren. Ndaj Skënderbeut u panë diferencat në kualitet, por rezultati nuk iu përgjigj asaj që Besa dha në fushë. Krejt ndryshe ishte miqësorja në Shijak, ku nuk kishim asnjë lloj ngarkese psikologjike. Erzeni është një kundërshtar i fortë dhe ne bëmë një lojë mjaft të qartë e të rrezikshme. Nuk ka rëndësi fitorja, e përsëris, por mënyra si futbollistët zbatuan detyrat dhe egoja që shfaqën në fushë. Kishim mungesa dhe rikompozuam prapavijën në krahasim me miqësoren me Skënderbeun. Paraqitja në Shijak më ngrohu, më dha sinjale të qarta se grupi po vjen afër formës së duhur fizike”.
besa

LARGIME – Gjatë këtyre miqësoreve trajneri Kashami e sheh grupin edhe me syrin e të nesërmes, pasi disa nga futbollistët aktualë nuk do të jenë më pjesë e Besës sezonin e ri. Trajneri kavajas ka testuar të rinjtë, ashtu siç pritet të bëjë edhe në ndeshjet e mbetura të kampionatit. “Presidenti Bizhdili ma ka bërë të qartë se duhet të punoj jo vetëm për të sotmen. Në këtë kuptim, më shumë më interesojnë të rinjtë për të parë në çfarë rolesh ata mund të japin maksimumin. Kësaj ideje i kanë shërbyer dy miqësoret dhe nuk është sekret të themi se do ketë largime dhe afrime për sezonin e ri. Lojtarët që kanë kontrata 3-vjeçare na interesojnë më shumë. Me atë që pashë ndaj Skënderbeut dhe Erzenit, krijova bindjen se Besa do jetë një “kockë” e fortë për Pogradecin, Apoloninë dhe Lushnjën. Këto skuadra do marrin “leje” te Besa për t’u ngjitur në Superiore. Ne do të luajmë pastër dhe ndershëm, do të bëjmë maksimumin. Shpresoj të rikuperoj lojtarët e dëmtuar në këto dy javë kohë”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"