KAS-i mbyll çështjen Tirana-Muzaka, bardheblutë i detyrohen lojtarit para të tjera veç 106 milionë lekëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 11:47

KAS-i mbyll çështjen Tirana-Muzaka, bardheblutë i detyrohen lojtarit para të tjera veç 106 milionë lekëve

Është mbyllur përfundimisht çështja “Muzaka” në KAS-in e Lozanës dhe në fund ka dalë i fituar ish-mesfushori bardheblu. Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka njoftuar mbylljen e çështjes dhe ka rënduar penalitetet për klubin kryeqytetas.

muzaka

Gazeta “Panorama Sport” ka zbardhur shkresën e plotë, në të cilën KAS bën me dije se çështja është mbyllur dhe është fshirë tashmë, porse Tirana duhet t’i paguajë lojtarit edhe 1 mijë franga zvicerane për procesin që tentoi të niste dhe nuk e përfundoi kurrë. KAS-i e mbylli çështjen e Muzakës për shkak se klubi kryeqytetas nuk bëri pagesën brenda afateve të caktuara.

kas muzaka tirana

106 milionë lekë

Gjergji Muzaka fitoi gjyqin me Tiranën për detyrime të pashlyera, duke dalë fitues në të gjitha shkallët sportive në Shqipëri. Tirana duhej t’i shlyente mesfushorit 106 milionë lekë të vjetër, por klubi bardheblu nuk e pranoi verdiktin dhe tentoi ta çonte çështjen në KAS.

Gazeta disa kohë më parë pat njoftuar se Tirana ishte e destinuar të dështonte në këtë proces për faktin e thjeshtë se nuk kish kryer pagesat brenda afateve kohore për shqyrtimin e çështjes, por zyrtarë të klubit bardheblu e mohuan këtë, duke thënë se gjithçka ishte në rregull.

Koha konfirmoi se “Panorama Sport” pati të drejtë. Ndërkaq, në lidhje me vendimin e datës 10 gusht, vetë futbollisti thotë se ishte gjithçka e pritshme dhe se tani pret që të shlyhet nga ish-klubi i tij.

“Unë asnjëherë nuk kam folur në media pasi u dha verdikti përfundimtar në DHZK. Pala tjetër (Tirana) pati pretendimet e saj dhe ndoqi rrugën që pa më të arsyeshme, ndërsa unë nuk jam marrë me këtë çështje duke ia besuar gjithçka avokatit tim.

Koha vërtetoi se e drejta ishte me mua dhe tani pres vetëm që të më japin atë që më takon. Kam luftuar vetëm për mundim tim dhe asgjë më shumë. Thjesht pres të më shlyejnë, nuk kam asnjë replikë apo ndjesi revanshi me Tiranën”, thotë Muzaka me shumë diplomaci për “Panorama Sport”.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"