Karvahal amator në penallti dhe Ramos me fat, ja sekretet e finales Real-Atletiko

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 11:08

Karvahal amator në penallti dhe Ramos me fat, ja sekretet e finales Real-Atletiko

Fitoi sërish Reali i Madridit kundër Atletikos, sërish me penallti. Nuk është aspak rastësi. Fati i “Galaktikëve” u përcaktua që në short, por sa shumë sekrete pati në goditjet e 11-metërshave. Karvahal goditi për herë të parë, Saul e humbi si Huanfran, Oblak nuk kuptoi asnjë goditje dhe Kurtua i kishte studiuar. Morata ishte i përjashtuar nga goditjet, sepse rregulli e kërkon që të jenë në numër të barabartë. 

Reali Superkupa

SHORTI ME FAT – Reali i Madridit pati fat që në shortin e penalltive mes dy kapitenëve Serxho Ramos dhe Jan Oblak. “Galaktiku” kishte të drejtën të zgjidhte anën e portës ku do të bëheshin goditjet dhe pastaj fitoi të drejtën edhe për të goditur penalltitë i pari. Serxho zgjodhi portën nga ana e majtë e pankinave, ashtu si në “San Siro”.

Te Reali i Madridit kishte shumë lojtarë që donin të godisnin, ndërsa te Atletiko, Alvaro Morata “i plagosur” në kokë pas goditjes me Karvahalin dhe pas faullit të Valverdes nuk do të paraqitej te pika e bardhë. Ai u përjashtua nga trajneri Simeone, sepse rregulli është i tillë. Kur një skuadër ka 10 lojtarë (dalja me të kuq i Valverdes) edhe ekipi tjetër duhet të ketë 10 lojtarë.

SURPRIZA KARVAHAL – Mbrojtësi, i cili të shtunën festoi 28-vjetorin e lindjes, ishte surpriza e goditjeve të penalltive. Ai shkoi i pari në pikën e bardhë dhe frika ishte e madhe në radhët e madrilenëve. Arsyeja? Sepse ishte penalltia e tij e parë në karrierë si profesionist. Kurrë më parë nuk kishte goditur dhe nuk gaboi.

MALLKIMI I SHTYLLAVE – Në radhët e Atletikos ishte Saul Nigez që goditi i pari dhe topi i tij shkoi në shtyllë, në të njëjtin vend ku u ndal goditja e Huanfranit në “San Siro”. Mallkimi i shtyllave vazhdon për bardhekuqtë.

KURTUA I STUDIOI – Portieri belg shkoi menjëherë në pankinë në momentin që përfundoi ndeshja për të marrë informacione rreth kundërshtarëve. Ai vetë tregoi se Saul Nigez e surprizoi me goditjen, sepse zakonisht godet nga e majta e portierit, por këtë herë zgjodhi të djathtën.

Por Tomas Partej ra në grackë dhe goditi pikërisht aty ku ishte parashikuar. “E kisha të sigurt që do ta prisja atë penallti, por nuk ishte e lehtë, sepse e goditi fort”, tha belgu.

Ramos66

OBLAK DOLI HUQ – Nga katër penalltitë që goditën  lojtarët e Realit të Madridit, slloveni nuk arriti të kuptonte krahun asnjëherë. Karvahal i goditi djathtas, Rodrigo majtas, Modriç djathtas dhe Ramos në mes. U rikthye të bënte edhe një herë tjetër figurë të shëmtuar në momentin e penalltive, ashtu si në “San Siro”, ku nuk e mori mundimin të hidhej asnjëherë.

KROS PËR RODRIGON – Një nga penalltitë më të bukura dhe të sigurta në finalen e Superkupës së Spanjës ishte ajo e brazilianit Rodrigo. Ta mendosh që në fillim nuk donte të godiste. Por, ishte këmbëngulja e Toni Krosit ajo që i dha besim. Vetë Rodrigo tregon se gjermani e motivoi duke i thënë: “Godite, godite!”

“PANENKA” E RAMOSIT – Penalltia e katërt ishte ajo e Serxho Ramosit. Këtë radhë e zgjedh gjithmonë dhe është supersticioz. Për fatin e tij ishte vendimtare dhe i dha titullin e parë sezonal Realit të Madridit. Nuk e goditi në stilin “Panenka”, por e kishte në mendje diçka të tillë. Ai tregoi se kishte shumë dhimbje në kavilje dhe prandaj nuk e provoi. “Sigurisht që e planifikova, por nuk e kisha në rregull kaviljen për të bërë një goditje të tillë”, tregoi kapiteni.

Ramos6

PA FAT – Te skuadra e Atletikos goditën vetëm 3 lojtarë dhe dy të tjerët ishin të pafat për t’u paraqitur në pikën e bardhë. Ata ishin Vitolo dhe Korrea, që kishin marrë përsipër përgjegjësinë për të qenë të fundit.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"