Kartonët/ Tirana ekipi më “fair play”, bardheblutë e disiplinuar e mbyllin fazën me 17 të verdhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2017 | 20:55

Kartonët/ Tirana ekipi më “fair play”, bardheblutë e disiplinuar e mbyllin fazën me 17 të verdhë

Tirana e nis aty ku e la. Edhe pse vjet ranë nga kategoria, bardheblutë u shpallën skuadra më “fair play” për sezonin 2016-2017. Si shpërblim për sjelljen e mirë morën nga FSHF-ja një shumë prej 15 milionë lekë të vjetër. Edhe këtë herë po ndjekin të njëjtën rrugë, por me ndryshimin e vetëm të madh që lidhet me renditjen. Nëse Kategorinë Superiore e mbyllën në vendin e parafundit, në Kategorinë e Parë janë në krye të grupit B dhe me 4 pikë të shkëputur nga rivali më i afërt, Bylisi.

tirana

Disiplina është bazike për kryeqytetasit dhe këtë herë “matjen” mund ta bëjmë fare mirë me kartonët. Në 8 javët e para të kampionatit ishin thuajse perfekt, pasi lojtarët bardheblu numëronin vetëm 15 të verdhë në total. Por, shifrat pozitive i prishi Alket Çelhaka në transfertën e javës së 9-të në Shënkoll, ku mori dy herë kartonë të verdhë në harkun e 19 minutave dhe rrjedhimisht la fushën e lojës me të kuq. E thënë ndryshe: faza e parë u mbyll zyrtarisht me 17 kartonë të verdhë.

Sakaq, lojtari më i ndëshkuar te Tirana është Marvin Turtulli, i cili ka marrë “stafetën” nga Erjon Hoxhallari, i cili vjet numëronte më shumë kartonë. Qendërmbrojtësi numëron tre të verdhë deri më tani, ndërsa e pasojnë me nga 2 sulmuesit Sentamu dhe Ngoo. Në total, lojtarët që janë penalizuar nga arbitrat në 810 minuta janë 12. E vetmja skuadër që i ndjek është Turbina e vendit të parafundit, që gjithashtu ka marrë 17 të verdhë direkt dhe asnjë të kuq. Skuadrat e tjera numërojnë shumë më shumë, ndërsa Tomori mban rekord, pasi ka marrë plot 25 deri më tani.

kategoria e pare kartonet

Skuadrat që janë “skuqur” më së shumti janë Naftëtari me Shkumbinin, që deri më tani kanë marrë dy të kuq direkt. Kur të bëhet përllogaritja prej FSHF-së, kryeqytetasit do fitojnë “pikë” edhe prej tifozëve. Edhe pse protestat e tyre nuk janë ndalur kurrë, e vetmja herë që janë dënuar nga Disiplina, përkon me javën e fundit. Tymueset e hedhura prej tyre sollën edhe ndërprerjen e takimit, ndaj Tirana është e detyruar që Pogradecin ta presë me dyer të mbyllura.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"