Karlo në vendin e krimit, nga shkarkimi te tradhtia / Sonte do të kërkojë revanshin për ngjarjet e 4 viteve më parë
Përpara se të hetoj, të kërkoj, të mbledh dhe të analizoj të gjitha pistat e mundshme kam mbërritur në përfundimin se vrasësi është mazhordomi”. Kjo është një nga frazat më të famshme dhe më të përsëritura në filmat policeskë, ku policë e detektivë përpiqen të zgjidhin misterin e një vrasjeje. Nëse bëjmë analogji, Karlo Ançeloti kthehet në skenën e krimit, në Napoli, pikërisht në të njëjtin hotel nga ku nuk ruan kujtime shumë të këndshme.
Trajneri italian i Realit të Madridit ka kaluar mbrëmjen me ekipin në “Grand Hotel Vesuvio”, i njëjti hotel me pesë yje ku natën e 10 dhjetorit 2019, presidenti i Napolit – rivali i sotëm në Champions – Aurelio de Laurentis informoi trajnerin e tij të atëhershëm për shkarkimin e tij, pavarësisht se Napoli arriti fitonte ndaj Genkut 4-0 në Ligën e Kampioneve për të siguruar një vend në 1/8-at e finaleve në Champions.
Atë natë dhjetori të vitit 2019, Ançeloti u përpoq të bindte presidentin që të mos merrte atë vendim. Por producenti ishte i bindur se, pas trazirave të 5 nëntorit, zgjidhja e vetme ishte braktisja e “mirësisë” së trajnerit aktual të Realit të Madridit për të ndryshuar rrënjësisht një dhomë zhveshjeje që ai konsideronte se e kishte mosrespektuar. I zgjedhuri ishte Xhenaro Gatuzo, një rreshter i hekurt i Ançelotit që do të përfundonte duke tradhtuar Karlon.
“Lojtari me të cilin kam pasur më shumë besim ka qenë Gatuzo, për mua ai ishte si një vëlla, edhe pse unë isha trajneri i tij. I thashë gjëra që nuk ia tregova askujt tjetër”, tregonte Ançeloti në vitin 2018.
REBELIMI I LOJTARËVE – “Gazzetta dello Sport” kujton histori të veçanta nga marrëdhëniet ndërmjet palëve. Nga loja deri tek udhëtimet me varkë në Kapri, duke kaluar te pasioni për helikopterët, Aurelio dhe Karlo kishin shumë të përbashkëta që e shtynë presidentin të thoshte: “Dua një trajner të tillë për jetën, pak si ajo që ndodhi me Fergusonin e Junajtidin”.
Një ide që përfundoi në ajër pas rebelimit të famshëm të lojtarëve. Asokohe, trajneri aktual i Realit përjetoi një nga situatat më të tensionuara të gjithë karrierës së tij sportive.
Karlo pësoi një rebelim nga skuadra, dhe ai refuzoi të grumbullohej siç urdhëroi presidenti De Laurentis pas barazimit 1-1 kundër Salcburgut në Ligën e Kampionëve. Lojtarët shkuan në shtëpi dhe, ndonëse Ançeloti shfaqi mospajtimin e tij me vendimin e presidentit në një konferencë për shtyp, ai vazhdoi me përqendrimin. Ai mori anën e lojtarëve dhe rebelimi përfundoi me shkarkimin e trajnerit.
TRADHTIA E GATUZOS – Pas shkarkimit, goditja e dytë për Ançelotin ishte emërimi i Xhenaros Gatuzos si pasuesi i tij në krye të Napolit. Ish-lojtari i tij kishte kohë që bisedonte me pronarin e Napolit dhe në asnjë moment nuk ia komunikoi një gjë të tillë Ançelotit, i cili e konsideronte si vëlla. Dy ditë pas shkarkimit të Ançelotit, Gatuzo u prezantua në Kastel Volturno: “Doja t’i telefonoja Ançelotit, e bëra këtë mëngjes. Nuk ishin ditë të lehta. Më duhej t’i sqaroja gjërat me Karlon”, deklaroi ai në fjalët e raportuara nga “CalcioNapoli24”.
TAKIMI NË SPANJË – Të gjithë e dinë se si rrodhën ngjarjet më vonë edhe me Gatuzon që u largua nga Napoli. Dy personazhet u takuan vite më vonë mes tyre në Spanjë, Karlo te Reali dhe Rino te Valencia, ku krisjet mes tyre ishin evidente.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"