Karioka kërkon largimin nga Kukësi, Dervishi i cakton çmimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2016 | 9:53

Karioka kërkon largimin nga Kukësi, Dervishi i cakton çmimin

Duket se largimi i Floresit nga ana e klubit nuk ka lënë shije të mirë dhe te shokët e tij, sidomos te Zhan Karioka, i cili duket se kërkon të largohet nga Kukësi. Ai ka diskutuar me drejtues të Kukësit dhe u ka kërkuar që t’i japin dokumentacionin për t’u larguar nga skuadra verilindore.

lojtaret e kukesit

Pakënaqësi që është shprehur në fushën e lojës, sidomos mbas zëvendësimeve që iu bënë brazilianit në Kupat e Europës, të cilat kanë vijuar dhe në stërvitje. Duket se kjo situatë ka një prapaskenë, të cilën gazeta e zbulon ekskluzivisht. Me kalimin e trajnerit brazilian Marselo Troisi në krye të Laçit, duket se drejtuesit e Laçit duan t’i vjedhin Kukësit një nga yjet e skuadrës, të cilit i kanë ofruar një pagë të mirë, një ofertë më e mirë sesa ai paguhet te kuksianët. Dhe për lojtarin në janar apo në verë, nëse do të lëvizë nga skuadra, destinacion mund të jetë edhe Skënderbeu.

karioka

Reagon drejtori

Gjithsesi, është drejtori i përgjithshëm i skuadrës verilindore ai që, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet për rastin në fjalë dhe sqaron gjithçka. “Kam dëgjuar fjalë për Kariokën që një klub tjetër do që ta ketë në skuadër, por lojtari është në pronësi të Kukësit me kontratë të rregullt dhe për shumë kohë.

dritan dervishi

Po e bëj të qartë një herë e mirë: kushdo që do të marrë lojtarë apo ka interes për futbollistë të Kukësit, duhet të trokasë në dyert e klubit, pasi në të kundërt do ketë pasoja për lojtarin dhe për ata që kërkojnë të marrin. Do kenë probleme serioze institucionale.

E njëjta gjë vlen si për Kariokën, për Micin apo për çdo lojtar të Kukësit. Kush do që të marrë ndonjë nga këta lojtarë, le të vijë të derdhë 50 mijë euro në arkat e klubit. Nuk ka klub tjetër që të ketë fuqi financiare më shumë se klubi ynë”, ka deklaruar Dervishi.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"