Karabaku “shqiptar” nuk tremb Interin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2014 | 12:49

Karabaku “shqiptar” nuk tremb Interin

Agolli dhe NagatomoInteri i Valter Maxarrit siglon suksesin e dytë në Ligën e Europës, teksa ka fituar në mbrëmjen e djeshme me rezultatin 2-0 kundër Karabakut të Ansi Agollit dhe Admir Telit. Dy lojtarët shqiptarë kanë luajtur për 90 minuta në “San Siro”, duke bërë një paraqitje të kënaqshme. I pafat qendërmbrojtësi, i cili ka devijuar në portën e tij goditjen e D’Ambrozios, që ka shënuar golin e parë të takimit. Fitorja e djeshme ka ardhur si oksigjen për ekipin zikaltër, që tashmë udhëheq në Grupin F me katër pikë më shumë se St. Etien dhe pesë pikë kundrejt dy skuadrave të tjera. Goli i dytë për milanezët mban firmën e Ikardit.
Formacionet Tekniku i Interit bën rotacion, duke hedhur në fushë nga minuta e parë Karizon, Andreolin, M’Vila, Kuzmanoviçin dhe Guarin. Ikardi aktivizohet si sulmuesi i vetëm. Karabak prezantohet me një rreshtim 4-2-3-1, i cili është shumë pak agresiv. Takimi fillon me vërshëllimat e publikut vendës për skuadrën e tyre. Por, ndryshe nga sfida e fundit në kampionat kundër Kaljarit, Interi këtë herë nuk gabon në startin e sfidës dhe kërkon menjëherë golin e avantazhit, i cili vjen në minutën e 18-të. Mbrojtja e Karabak nuk largon siç duhet një top nga zona, aty ndodhet D’Ambrozio, i cili me të djathtën depoziton sferën në rrjetë, falë dhe devijimit të Telit, i cili nxjerr jashtë loje portierin Sehiç. Tre minuta më pas është Ranokia, që shpërdoron mundësinë më të mirë për t’i dyfishuar shifrat. Interi rritet në lojën e tij dhe kërkon me insistim golin e sigurisë, ndërsa miqtë e përqendrojnë lojën e tyre te kundërsulmet e shpejta. Kur dukej se e kishte takimin nën kontroll, Interi rrezikon të pësojë golin e barazimit. Sehiç nis Rejnaldon në kundërsulm, por pas një inkursioni të gjatë braziliani nuk është i kthjellët përpara portës, duke mos shfrytëzuar mundësinë e artë për shënim në pjesën e parë.
Vështirësitë Fragmenti i dytë i lojës fillon si i pari, me publikun vendës që qëndron i heshtur. Shkëndijën e parë e jep Ikardi në minutën e 57-të, por pa gjetur golin. Në fushë futet Medel për Kuzmanoviç, por skenari nuk ndryshon. Maxarri, në kërkim të golit të sigurisë, hedh në fushë edhe Osvaldon, i cili zë vendin e Guarin (i vetmi që merr duartrokitje). Hyrja e argjentinasit i jep frymëmarrje Interit në sulm dhe ky i fundit është “arkitekti” i golit të dytë. Osvaldo shërben në zonë për Ikardin, i cili me një diagonale të saktë i jep shuplakën e dytë Karabakut, duke shuar plotësisht shpresat e formacionit azerbajxhanas për të rrëmbyer pikë në “San Siro”.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"