Kapitenit të Milanit s’i del e keqja, fajëson të gjithë shokët e skuadrës pas humbjes ndaj Çelsit: Nuk mund të jemi naivë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 8:34

Kapitenit të Milanit s’i del e keqja, fajëson të gjithë shokët e skuadrës pas humbjes ndaj Çelsit: Nuk mund të jemi naivë

Hera e parë më shiritin në krah në një mbrëmje Champions-i. Me siguri, Ismael Benaser e kishte menduar ndryshe, por ekipit të paraqitur në Londër me shumë mungesa i nevojitej më shumë se një mrekulli për të dalë pa dëme nga “Stamford Bridge”.

benaser kovacic

Skenar ndoshta i paralajmëruar, por shkaqet mundohet t’i shpjegojë pikërisht kapiteni i Milanit në mbrëmjen e djeshme.

“Shiriti duhet merituar dhe doja të shijoja ndryshe. Dhemb shumë kur humbet kështu, por nuk luajtëm me shpirtin e duhur. Edhe dëshira nuk ishte ajo që na karakterizon. E dimë fort mirë se në Champions ndeshjet janë të një niveli tjetër. Ndaj duhet të kishim dhënë diçka më shumë që të gjithë”.

Situata në grup ndërlikohet dhe kuqezinjtë duhet që minimalisht të mos humbin në ndeshjen e radhës për të mos e vendosur fatin e tyre në duart e rivaleve. Edhe algjeriani është i bindur se nevojitet më shumë punë, e sidomos rezultate.

“Duhet të bëjmë më tepër. Humbjet janë pjesë e lojës, por jemi edhe më të vetëdijshëm se nevojitet më shumë punë. Do ta analizojmë ndeshjen për të kuptuar ku gabuam dhe do të ringrejmë kokë shumë shpejt”, shtoi Benaser në deklaratën e tij për mediat e pranishme në stadiumin anglez.

MË SHUMË PUNË – Kalendari parashikon Juventusin, teksa Pioli shpreson që të rikuperojë ndonjë futbollist për të shtunën mbrëma.

Ndërkohë, numrit 4 kuqezi nuk i kalon mërzia, teksa shpjegon: “Mundohemi gjithmonë të japim diçka më shumë, por të tilla ndeshje vendosen nga detajet. Pas golit të dytë gjithçka u ndërlikua ndjeshëm, ndërsa ne u munduam të arrinim me forcë, ndërkohë që nevojitej të përdornim kokën. Në ndeshjen e radhës duhet të jemi më të aftë me detajet dhe më të bindur në forcën tonë. Nesër (sot) do të shohim ndeshjen për të analizuar çdo aspekt. Duhet të marrim përgjegjësitë tona dhe të vendosim në diskutim sa herë zbresim në fushë. Humbje të tilla janë të rënda, por shërbejnë për të kuptuar se çfarë duhet përmirësuar. Do ta tregojmë veten në sfidën e radhës”.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"