Kapiteni Sheta, “pro” FSHF-së: Më mirë që disa fusha nuk u licencuan, do dëmtoheshin lojtarët e gjyqtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 21:20

Kapiteni Sheta, “pro” FSHF-së: Më mirë që disa fusha nuk u licencuan, do dëmtoheshin lojtarët e gjyqtarët

Besëlidhja do që të tregojë supermacinë që në start. Këtë vit synohet ngjitja, ndaj drejtuesit, stafi teknik dhe lojtarët nuk duan blofe në javën e parë.

sheta beselidhja

Për këtë motiv, 90-minutëshi ndaj Korabit ka marrë vlerësim maksimal. Lezhjanët shihen si një nga pretendentët kryesorë të Grupit A, pasi këtë verë kanë afruar emra si Arjan Sheta, Eristotel Koleci, Milan Gjorgjeviç, Dimitrie Çokiç, Ded Bushi, Arsen Hajdari apo Enio Marku. Eksperienca e shtuar ka krijuar bindjen se ky do të jetë i fundit edicion që lezhjanët do të “enden” në Kategorinë e Parë. Një nga afrimet më me bujë ishte ai i Arjan Shetës.

STARTI – Mbrojtësi me eksperiencë 20-vjeçare, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, analizon përballjen me dibranët, objektivat sezonalë, por edhe vendimin e FSHF-së për të mos licencuar disa stadiume.

“Faza përgatitore është hedhur pas krahëve dhe që prej javës së kaluar, jemi përqendruar te starti. Kalendari na ka rezervuar që ta presim në shtëpi Korabin. Ka rreth dy muaj që ekipi po stërvitet intensivisht, madje në më shumë se gjysmën e fazës, kemi zhvilluar edhe dy seanca në ditë. Jemi plotësuar dhe në organikë, ndaj jemi më shumë se të gatshëm për ta përballuar Korabin. Kundërshtarin po e vlerësojmë sa i takon, por në të njëjtën kohë edhe veten. Duam që ta nisim pozitivisht sezonin, pasi kemi një objektiv dhe duhet ta realizojmë. Për mua rëndësi ka që të jemi të qartë në fushë. Nuk ka rëndësi sasia e golave, por fitorja. Është ajo që të jep pikët”, tha fillimisht ai.

STADIUMET – “Veterani” i mbrojtjes foli edhe për vendimin e federatës, duke mbyllur disa stadiume që nuk i plotësonin kriteret e licencimit.

“Është gjë e mirë që FSHF-ja nuk i licencoi disa stadiume. Nuk mund të luhet më në fusha dhe stadiume pa kushte, pasi sjellin probleme për futbollistët, stafin dhe më kryesorja për gjyqtarët. Por ky vendim e ka një anë negative, pasi impiantet që plotësojnë normat e kërkuara, tashmë do të mbingarkohen. Fushat do të rëndohen ndjeshëm, ndaj le të shpresojmë që sa më shpejt këto klube të ndërhyjnë në stadiumet e tyre dhe të shmangin problemet”, përfundoi 38-vjeçari.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"