Kapiteni Shameti: Prisni për Kukësin e vërtetë, jemi për të dy trofetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 14:06

Kapiteni Shameti: Prisni për Kukësin e vërtetë, jemi për të dy trofetë

Një Kukës që do të synojë jo vetëm titullin, por edhe Kupën. Kapiteni Ylli Shameti mendon se ende tifozët nuk kanë parë skuadrën e vërtetë, që sipas tij do të jetë më e frikshme në vijim. Në një intervistë për “Panorama Sport” mbrojtësi gjirokastrit flet për të gjitha.

ylli shameti

Ylli, një nisje e dobët për Kukësin, por ndeshja me Tiranën ju riktheu te fitorja…

Nisje e dobët prej pikëve, por jo prej lojës, pasi në të tri ndeshjet kemi qenë mbi kundërshtarin në çdo aspekt. Gjithsesi, kemi reflektuar dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Natyrisht, na duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të punojmë shumë fort për të shkuar aty ku duam.

Çfarë ndryshoi te Kukësi nga Kupat e Europës në kampionat?

Çdo ekip i ri do kohën e duhur që të jap më të mirën. Ne akoma nuk e kemi dhënë këtë si ekip. Mentaliteti i Kukësit është puna në grup. Çdo lojtar i ri pas pak kohësh i mëson këto te Kukësi, e më pas bëhet një trup me ekipin.

Si e shikoni ndeshjen me Teutën?

Duhet të mbajmë këtë klimë të mirë në vazhdim, gjë e cila arrihet vetëm përmes rezultateve pozitive. Në Durrës shkojmë për fitore.

I druheni ekipit të ri të Bledi Shkëmbit?

Shkëmbi është një trajner i ri me energji që ka bërë mirë deri tani, por ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe të minimizojmë gabimet.

Mungesa e Rexhindaldos sa ju penalizon?

Çdo futbollist është i vlefshëm te Kukësi, sidomos në fushë, por dhe jashtë saj qoftë. Të gjithë lojtarët që kanë ardhur po japin maksimumin e tyre dhe uroj që të gjithë së bashku të bëjmë mirë për të arritur në fund objektivat e klubit. Kam besim se gjithçka do shkojë mirë dhe çdo lojtar duhet të shfaqë vlerat e veta duke kontribuar.

Çfarë i duhet këtij Kukësi për të qenë “top”?

Për të qenë atje ku duhet, na duhet mobilizim nga të gjithë dhe në çdo moment. Nuk duhet neglizhojmë asgjë, por të jemi të kujdesshëm dhe të punojmë shumë që në fund të gjithë të jemi të kënaqur.

Cili mendoni se është rivali i Kukësit për titullin?

Të gjitha ekipet janë përforcuar dhe po marrin maksimumin në ndeshjet që kanë bërë. Për rivalët është shpejt të flas, më vonë do të duket.

Po Kupa e Shqipërisë është prioritet për Kukësin?

Pa diskutim që edhe Kupa e Shqipërisë është objektiv i Kukësi, si çdo vit. I kemi të gjitha mundësitë të luftojmë në të dyja frontet.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"