Kapiteni Sefa: Lushnja i ka lekët, por na duhen lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2019 | 18:33

Kapiteni Sefa: Lushnja i ka lekët, por na duhen lojtarë

Gradualisht skuadra lushnjare po mbush një muaj në stërvitje dhe gjatë kësaj kohe po organizohet për të qenë pretendente për kthimin në Superiore. “Ekipi është duke u formatuar, kanë firmosur 14 futbollistë dhe gjysma tjetër është në provë ende. Pra, për të folur me këmbë në tokë, Lushnja nuk është e plotë për objektivin që ka”, është shprehur kapiteni i lushnjarëve, Fatjon Sefa.

sEFA2

Skuadra e drejtuar nga trajneri Gjyla është përpara rivalëve me përgatitjet, por sulmuesi veteran këmbëngul në faktin se duhet plotësuar grupi: “Po, është shumë pozitive që jemi para ekipeve të tjera me përgatitjet, është një faktor plus për Lushnjën. Kur të gjithë kanë filluar aerobinë, ne jemi drejt mbylljes së kësaj faze dhe po fillojmë me përgatitjet tekniko-taktike. Megjithatë, siç e thashë edhe më parë, duhet kompletuar grupi që të flasim konkretisht për objektivin e kampionatit”, shton Sefa. Pas tri javësh mendohet që Lushnja të grumbullohet për vazhdimin e përgatitjeve.

“Me shpresën e Zotit, presim të zhvillojmë një fazë përgatitore në kushte grumbullimi. Aty do të vendosim pikat mbi ‘i’ për çdo gjë, për ta konkretizuar komplet fazën përgatitore”, tha Sefa. Lushnja është në një situatë të shëndoshë financiare, me një buxhet prej 46 milionë lekësh (të rinj), që shpenzohet i detajuar në muaj, duke likuiduar të gjitha detyrimet ndaj futbollistëve. “Për pjesën financiare e kam thënë gjithmonë dhe e theksoj se Lushnja është e sigurt dhe u bëj thirrje lojtarëve të mos mendojnë se këtu nuk ka lekë. Jemi një klub që i mirëpret të gjithë dhe u mbush xhepat. Lushnja ka nevojë për lojtarë në të tria repartet: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Në  të tria repartet duhet të ketë përforcime, por më shumë nevojë ka reparti i mbrojtjes, sepse ka djem të rinj dhe duhet të koordinohen me eksperiencën, me lojtarë të tjerë. Mesfusha është e plotësuar në masën 70%, kurse për sulmin mund të them se më duhen dy partnerë”, ka përfunduar sulmuesi dhe kapiteni i skuadrës lushnjare, Fatjon Sefa.

Lushnja pritet të luajë nesër ndaj Erzenit miqësoren e dytë, në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ri. Kjo ndeshje është programuar të luhet në stadiumin e Shijakut. Para tri javësh, lushnjarët barazuan 1-1 në Ballsh me Bylisin.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"