Kapiteni Sefa analizon “derbin”: Tomori na vodhi, Lushnja nuk zhgënjen

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 11, 2018 | 17:53

Kapiteni Sefa analizon “derbin”: Tomori na vodhi, Lushnja nuk zhgënjen

Lushnjarët e nisën me një barazim në transfertë sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla barazoi 1-1 në “derbin” me Tomorin duke marrë pikë në fushën e një rivali të drejtpërdrejtë për Superioren.

Sefa – Për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni i lushnjarëve Fatjon Sefa u shpreh: “Mendoj se ishim superiorë falë shpirtit dhe dëshirës që kishim. Dua ta theksoj këtë fakt që bëmë një ndeshje me zemër dhe dua t’i falënderoj djemtë për dëshirën dhe përkushtimin e tyre. I respektoj të gjithë shokët e mi. Gjithashtu, respektoj të gjithë ata tifozë që erdhën dhe na mbështetën në qytetin e Beratit që ishin të shumtë në numër. Unë them që nuk do t’i zhgënjejmë në vazhdimësi. Ishte një ndeshje pozitive dhe një rezultat pozitiv”, tha kapiteni 34-vjeçar i Lushnjës.

fatjon sefa

Sulmuesi i verdhejeshilëve thotë se Lushnja mund të kishte dalë me tri pikë nga Berati. Kapiteni Sefa përmend edhe penalltinë në favor të Tomorit dhe rastet e humbura nga skuadra verdhejeshile. “Nuk dua të merrem me gjyqtarët sepse nuk është në të mirën tonë që të merremi me ta. Tomori e vodhi pikën me anë të gjyqtarëve, por nuk dua ta prek këtë çështje. Më e rëndësishme është që i kemi humbur vetë dy pikë sepse kishim mundësi shënimi për ta çuar rezultatin 2-0 në favorin tonë. Këtë duhet ta rregullojmë në ndeshjet e ardhshme që të krijojmë dhe të realizojmë.

Këto gabime t’i anashkalojmë dhe t’i kthejmë ndeshjet në rezultat pozitiv”, deklaroi Sefa. Lushnja do të presë ditën e shtunë Orikumin në “Roza Haxhiu” dhe për këtë kapiteni kërkon të mbajë të karikuar skuadrën. “Ndeshja me Orikumin është më e vështirë dhe duhet të jemi shumë të përqendruar për vetë faktin se jemi në fushën tonë. Nuk duhet të jemi të përgjumur. Nuk duhet të kënaqemi me këtë barazim që morëm, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Duke parë rezultatet e javës së parë dhe të vetë Orikumit, nuk ka më ekipe të dobëta. Kjo është ajo që dua të them se kush do të vrapojë më shumë, kush do të luftojë më shumë, do të arrijë te suksesi”, përfundoi kapiteni Sefa.

ALBAN ALUSHI






www.minuta90.com