Kapiteni Ramadani analizon krizën dhe paralajmëron: Jemi ndëshkuar nga episodet, po vuajmë largimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 22:26

Kapiteni Ramadani analizon krizën dhe paralajmëron: Jemi ndëshkuar nga episodet, po vuajmë largimet

Janë luajtur tri ndeshje dhe Luftëtari s’ka “arkivuar” asnjë pikë. Një start zhgënjyes, që sipas kapitenit Behar Ramadani, do të marrë fund në kryeqytet. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori analizoi krizën dhe radhiti disa nga shkaqet që kanë sjellë këto rezultate.

behar-ramadani-470x470

“Kemi kaluar një periudhë krize, sa u takon rezultateve dhe jo lojës që kemi interpretuar në fushë. Por, ky është futbolli. Jep maksimumin në fushë, por nëse nuk shfrytëzon mundësitë e krijuara, në fund ndëshkohesh, madje edhe nga një gabim i vetëm. Episodet, por dhe mospërqendrimi na kanë ndëshkuar në 270 minutat e para, ndaj dhe kemi këto rezultate”, tha fillimisht Ramadani.

Pritshmëritë – Luftëtari sezonin e shkuar pas tri ndeshjesh “arkivonte” katër pikë, e megjithatë kapiteni paralajmëron se nuk do të humbasin më terren në klasifikim.

“Është e vërtetë se më shumë se loja, rëndësi kanë pikët e grumbulluara. Sezonin e shkuar Luftëtari, jo vetëm që argëtonte me lojën e tij sportdashësit, por korrte frytet e punës. Në përbërje të skuadrës kishim lojtarë të rëndësishëm si Bregu apo Abazaj, që bënin diferencën në kampionatin shqiptar. Mungesa e këtyre lojtarëve si dhe mosaktivizimi i dyshes Rroca e Jakovljeviç prej dëmtimeve, në njëfarë mënyre na ka prishur ekuilibrat në fushë.

Janë afruar lojtarë të tjerë dhe gjuha e komunikimit në fushë mendoj se do të marrë dhe pak kohë për t’u gjetur. Një arsye kjo në mendimin tim që na ka penalizuar në rezultate dhe në pritshmëritë e lojës, që të gjithë dëshirojnë nga ekipi ynë”, theksoi shkodrani.

Tirana – Java e 4-t rezervon një transfertë tejet të vështirë. Bluzinjtë do të përballen të dielën me Tiranën në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një 90-minutësh që mund të vendosë shumë rreth të ardhmes së dy ekipeve. Rezultati negativ do të komplikonte edhe më shumë pozitat e gjirokastritëve në klasifikim.

Të kushtëzuar nga mungesa e pikëve, futbollistët me në krye kapitenin Behar Ramadani janë të prirë për të dhënë më shumë se 100 për qind të kapacitetit të tyre ndaj Tiranës. “Që të fitosh një ndeshje, duhet të vendosësh zemrën në fushë. Këtë do të bëjmë edhe ne në përballjen me Tiranën, do të japim 120 për qind të maksimumit tonë.

Ditët e ndërprerjes së kampionatit na kanë bërë mirë. Në stërvitje kemi pasur kohë për t’u ingranuar më mirë me njëri-tjetrin. Edhe Tirana nga ana e saj është duke kaluar një periudhë të errët, por ne shohim punën tonë dhe do të kërkojmë rezultat pozitiv nesër. Një pikë do të ishte arritje përballë Tiranës”, përfundoi kapiteni.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"