Kapiteni Radas: Tashmë është standard, titulli është detyrim për Skënderbeun

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 9, 2018 | 23:00

Kapiteni Radas: Tashmë është standard, titulli është detyrim për Skënderbeun

Kapiteni i Skënderbeut rikthehet në “folenë” e vet pas një aventure të shkurtër në Laç për ndeshjet e Europës. Marko Radas është rikthyer në Korçë dhe menjëherë ka dalë para mediave në një konferencë për shtyp. Dhe që në fillim, kroati, kapiteni i Skënderbeut kërkon ta nisë sezonin me një trofe.

Radas

Radas, riktheheni në Korçë pas një aventure në Europë…

Ka qenë diçka e bukur dhe pozitive që të luaja në Europë me Laçin. Ka qenë një eksperiencë pozitive edhe për djemtë e Laçit, por edhe për mua, pasi në njëfarë mënyre nxora mallin për të luajtur në Europë.

Si iu duket ekipi i Laçit, krahasuar me Skënderbeun?

Shikoni, Skënderbeu mbetet gjithmonë Skënderbeu. Pavarësisht se na janë larguar shumë lojtarë, ekipi është mirë dhe po rritet ditaditës. Gjithashtu, nga ana e vet edhe klubi po mundohet që të bëjë më të mirën e mundshme, duke mbuluar ato pozicione ku ka mangësi.

Duke parë këto largime, çfarë objektivash keni për këtë sezon?

Sigurisht, ne jemi kampionët në fuqi dhe objektivat nuk kanë ndryshuar. Mbrojtja e titullit mbetet sërish si objektiv madhor i këtij ekipi. Duam që të fitojmë akoma dhe jemi të “uritur”. Plus kësaj, besoj se fakti që do të nisim kampionatin me një ekip si Partizani, besoj se na bën mirë.

Do të përballeni fillimisht me ish-ekipin tuaj për pak kohë, Laçin?

Po mirë, ne jemi profesionistë dhe normalisht që gjëra të tilla ndodhin në futboll. Do të kërkojmë që të marrim menjëherë trofeun e parë sezonal dhe besoj se i kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë. Për Laçin si ekip, kam shumë respekt, pasi ishin të gjithë djem të mirë dhe me të ardhme. Mbetet një ndeshje e fortë për t’u luajtur, po besoj se fiton Skënderbeu.

Dukeni të bindur se Skënderbeu do të jetë sërish për titull…

Po, normale. Për çfarë të flasim tjetër, nëse nuk flasim për titull. Skënderbeu është mësuar që të flasë për të tilla gjëra. Ndoshta kemi luhatje këtë vit. Jo aq të fortë sa sezoni i kaluar, por sërish mbetemi Skënderbeu. Ekipi më i mirë shqiptar i historisë. Nuk e kërkojmë ne titullin, është standardi i vendosur që na bën ta kërkojmë. Sigurisht do të jetë pak më e vështirë, se sezonet e kaluara, por sërish shanset që të fitojmë janë reale.

LLAZI SARO






www.minuta90.com