Kapiteni Lena: Partizanin të mos ta shohim si emër të madh, duam fitore në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 13:31

Kapiteni Lena: Partizanin të mos ta shohim si emër të madh, duam fitore në shtëpi

Kapiteni i Teutës, Nijaz Lena, ka besim se skuadra e tij do të mposhtë në “Niko Dovana” Partizanin dhe do të rikthehet te fitorja.

Lena

“Prej dy javësh ne jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje. Është një përballje e vështirë dhe ne do të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin. Partizanin nuk duhet ta shikojmë për emrin e madh që ka në futbollin shqiptar dhe as për formën e keqe që po kalon.

Thjesht duhet ta konsiderojmë si kundërshtarin e radhës, të cilin e presim në shtëpi dhe do të kërkojmë vetëm fitoren. Skuadra është gati dhe po presim me padurim të zbresim në fushë dhe të rikthehemi te fitorja, e cila na ka munguar përgjatë dy sfidave të fundit. Personalisht nuk më kënaq një pikë ndaj Partizanit”, u shpreh fillimisht kapiteni durrsak.

SITUATA

Në kampin durrsak mbizotëron një atmosferë pozitive dhe skuadra po punon me intensitet të lartë për sfidën me Partizanin. “Pauzën e kampionatit e kemi shfrytëzuar maksimalisht. Mendoj se për ne ka qenë ndihmesë e madhe ndërprerja e kampionatit për dy javë, pasi kemi mundur të rikuperojmë lojtarët e lënduar dhe u kemi dhënë mundësi afrimeve të fundit të përshtaten me shumë me skuadrën.

Mendoj se gjithçka po shkon mirë dhe grupi do të jetë i plotë në këtë përballje të rëndësishme. Shpresojmë që sulmi të zhbllokohet, pasi në këtë mënyrë fitorja do të arrihet më lehtë”, përfundoi kapiteni i Teutës, Nijaz Lena.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"