Kapiteni i Vllaznisë nuk e diskuton ngjitjen: S’falim askënd në Shkodër, kthimi në Superiore i sigurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 20:04

Kapiteni i Vllaznisë nuk e diskuton ngjitjen: S’falim askënd në Shkodër, kthimi në Superiore i sigurt

Gilman Lika nuk e diskuton ngjitjen në elitë. Shifrat flasin për një ecuri perfekte, ndaj edhe kapiteni e thotë hapur se Vllaznia nuk ka rivalë. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori ka bërë prognozën e këtij kampionati, ndërsa parashikon se edhe pengesa nuk do të mungojnë gjatë rrugëtimit. “Fitoret e arritura në këtë fillimkampionati na japin të drejtë që të themi: Po, jemi në rrugën e duhur. Kemi dominuar kundërshtarët deri më tani dhe kurrë nuk i kemi diskutuar pikët e plota.

Skuadra po kalon formë të mirë në të gjitha aspektet dhe kjo është tepër domethënëse për vazhdimësinë. Duhet që të mbyllim jo vetëm këtë fazë me maksimumin e pikëve, por edhe fazën e dytë në perfeksion, pasi vetëm në këtë mënyrë do ta kemi sa më të lehtë fazën e fundit dhe të sigurojmë sa më shpejt kthimin në Superiore. Është herët të flitet, por unë jam i bindur se me këtë formë që po kalojmë, në fund të këtij sezoni do të jemi në Superiore. Rendimenti në lojë do të japë frytet e veta. Sigurisht që edhe pengesa do të kemi, por do të dimë t’i kalojmë me sukses”, u shpreh fillimisht Lika.

lushnja vllaznia sefa lika jorgji

Dëmtimi – Kapiteni ka folur edhe për shqetësimet që ka pasur në gjurin e majtë. Një dëmtim në menisk mund ta mbajë edhe një javë larg stërvitjes. “Kam ndier shumë shqetësime në gju dhe më kanë thënë se kam pasur një çarje të meniskut. Mjekët më kanë sugjeruar që të qëndroj 3 javë radhazi jashtë fushave. Kam kaluar dy të tilla dhe tani ndihem më mirë. Po stërvitem individualisht, por përsëri nuk jam aty ku duhet. Edhe këtë javë do të jem jashtë përgatitjeve me grupin dhe shpresoj që shumë shpejt të jem gati”, theksoi shkodrani.

Kundërshtari – Vllaznia fundjavën e ardhshme do të luajë sërish në shtëpi, por këtë herë kundërshtar do të kenë Erzenin. Dhe kapiteni qartazi e thotë se në Shkodër nuk duhet që të falin askënd. “Në fushën tonë nuk duhet që të diskutojmë asnjë rezultat tjetër veç fitores. Nuk do ta kemi aspak të lehtë dhe këtë e dimë mirë, pasi çdo skuadër ndaj nesh mobilizohet në 100% e saj, por kjo nuk na pengon aspak neve që të kërkojmë maksimumin. Nuk ka shumë rëndësi nëse do të jetë Lika apo jo në fushë. Skuadra është e plotë dhe po tregon nga takimi në takim se nuk ndihet mungesa e një apo dy lojtarëve. Ne do të kërkojmë në çdo takim vetëm tri pikët e radhës, në mënyrë që t’ia lehtësojnë sa më shpejt punën vetes drejt Superiores”, ka përfunduar Lika.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"