Kapiteni i Teutës nuk ndjen presion: Kthesa jonë nis nga Shkodra, Begeja po i jep besim ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2018 | 17:43

Kapiteni i Teutës nuk ndjen presion: Kthesa jonë nis nga Shkodra, Begeja po i jep besim ekipit

Teuta vazhdon me përgatitjet për transfertën e Shkodrës. Kapiteni Arbër Çyrbja, i cili i ka shkaktuar dy humbje Vllaznisë me golat e tij në dy fazat e para, në një prononcim për “Panorama Sport” vlerëson kuqeblutë, por e pranon se Teutës nuk i falet më të gabojë. “Vërtet e kam ndëshkuar dy herë këtë sezon Vllazninë, por tani e rëndësishme është që Teuta të rikthehet te fitorja, pak rëndësi ka se kush e bën golin. Sigurisht që, nëse do të shënoja, do të ndihesha edhe më i lumtur, por në këtë moment të vështirë nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveç ekipit dhe sukseseve kolektive, pasi ndodhemi në një moment të vështirë.

cyrbja

Për të dalë nga kjo situatë, të gjithë duhet të japim maksimumin. Kërkoj nga shokët e ekipit më tepër dëshirë dhe punë. Presion? Kur nuk ke vijimësi, do të ketë edhe presion, e rëndësishme është ta menaxhosh për të arritur qëllimin. Ambienti është i qetë, pavarësisht rezultateve të fundit. Stafi ka besim te lojtarët dhe ne duhet të japim më të mirën në fushë për t’u ngjitur sa më parë në klasifikim”, u shpreh fillimisht kapiteni Çyrbja

Trajneri Begeja- “Profesori e njeh mjaft mirë ekipin, pasi është pjesë e familjes. Të gjithë janë të gatshëm të japim maksimumin për fanellën, por edhe për veten për të treguar se vlejmë. Gjatë kësaj jave, trajneri na ka motivuar më shumë duke na dhënë besim dhe besoj se gjithçka do të ndryshojë ndaj Vllaznisë. Për t’u rikthyer, duhet të besojmë te njëritjetri dhe të japim më shumë”, vijoi kapiteni.

MBIJETESA- “Edhe pse kemi disa ndeshje pa fitore, jemi një ekip me vlera dhe këtë do ta tregojmë në Shkodër. Mjaftojnë dytre fitore për t’u ngjitur në klasifikim, më pas flasim ndryshe. Kampionati është i hapur, pasi janë edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar. Ne duhet t’i marrim me radhë, duke filluar nga Shkodra. Në këtë moment duhet të mendojmë se kampionati nis sot dhe të harrojmë se çfarë ka ndodhur deri tani dhe të sigurojmë mbijetesën”, përfundoi Çyrbja.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"