Kapiteni i Teutës: Fitorja me Kukësin nuk është rastësi, për titullin flasim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2019 | 12:11

Kapiteni i Teutës: Fitorja me Kukësin nuk është rastësi, për titullin flasim…

Renato Arapi e quan këtë fitore si shpërblim të punës së madhe që është bërë prej muajsh. Kapiteni, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, e pranon që skuadra po vuan mungesën e golit, e megjithatë mendon se gjithçka do të rikuperohet në vazhdim.

Teuta Arapi

Mbrojtësi tregohet i kujdesshëm kur pyetet për titullin, ndonëse Teuta e tij është e para. “Kjo fitore na jep besim për të ardhmen dhe nuk është rastësore, pasi është dhe fryti i punës që kemi bërë gjatë këtyre muajve. U shpërblyen. Problemi i golit nuk është vetëm te Teuta, por në futbollin shqiptar në tërësi. Sulmuesit në kampionatin tonë janë me pikatore. Kemi dy sulmues që punojnë shumë për skuadrën, siç është Nikaç, por ashtu dhe Khalid, që duhet thënë se ka bërë një paraqitje shumë pozitive dhe konkurrenca do t’i bëjë mirë. Nuk është çështje besimi që nuk goditet porta, por duhet thënë që në ndeshjet në Durrës na penalizon pak fusha. Megjithatë, me sakrificë dhe më shumë punë do përmirësohemi akoma më shumë. Duhet të vazhdojmë kështu, pasi objektivi është ta mbyllim vitin më lart se vjet.

Titulli? Ky ekip më bind, kemi grup jashtëzakonisht shumë të mirë. Por është akoma herët për të folur për titullin, duhet të përballemi me të gjithë rivalët direkt. Aty do ta shohim forcën tonë reale”, përfundoi 33-vjeçari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"