Kapiteni i Skënderbeut: Nuk jemi të frikshëm, por ja çfarë na mbush me besim

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 5, 2018 | 21:13

Kapiteni i Skënderbeut: Nuk jemi të frikshëm, por ja çfarë na mbush me besim

Barazimi me Laçin duket se nuk e shqetëson shumë ambientin bardhekuq, përveç faktit që edhe mund të kishin fituar takimin. Megjithatë, në lidhje me lojën dhe grintën e treguar në fushë, gjithçka duket OK për të besuarit e Orges Shehit.

Në këtë linjë qëndron edhe kapiteni Marko Radas, i cili në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, thekson se Skënderbeu është një ekip i ri, i mbushur me elementë që duan kohë të tregojnë më të mirën e tyre. Kroati pranon se skuadra nuk është aq e fortë sa vjet, por ama me të rinjtë ka një të ardhme të sigurt.

Radas

Marko, barazimi me Laçin ju sjell keqardhje?

Nga njëra anë po, pasi kishim mundësinë më të mirë për të fituar takimin, me rastet që krijuam edhe kur ishim me një lojtar më pak në fushë. Megjithatë, jemi të kënaqur me atë çfarë dhamë në fushë, pasi bëmë gjithçka edhe në inferioritet numerik për të kërkuar fitoren. Pikët janë të rëndësishme, por ky Skënderbe premton.

Edhe ju në një linjë me Shehin…

Sigurisht, kjo është ajo që trajneri na kërkon çdo ndeshje. Të japim gjithçka kemi dhe të bëjmë në fund llogaritë për ndeshjen. Ne një gjë të tillë e kemi bërë dhe e përsëris, kemi luajtur me grintë dhe shpirt gare në çdo takim deri më tani.

Të ndalemi pak te goli, u duk një mbrojtje e përgjumur te rasti i Laçit. Si e komentoni?

Jemi në fillim të kampionatit dhe nuk mund të pretendojmë që gjithçka do të jetë perfekt që në start. Kemi kohë për të ndrequr edhe gabimet e vogla. Normalisht që do të bëjmë rregullimet e duhura. Do të vijmë në rritje gjithmonë.

Si mund të jeni kaq i bindur kur ky ekip ka ndryshuar shumë, të paktën 70% të përbërjes?

Patjetër që jam, pasi kemi një grup të ri tashmë, me shumë lojtarë të rinj që duan kohën e vet për të përshtatur dhe të hyjnë në organizmat e plota të funksionimit të këtij ekipi. Por e shoh që kanë grintë dhe dëshirë për të bërë mirë, pavarësisht talentit që nuk u mungon. Prandaj, kjo na bën të jemi besimplotë se do të ndryshojnë shumë gjëra. Pastaj mos harrojmë se jemi 7 pikë dhe në vendin e parë, një ecuri e mirë deri tani.

Ndeshja e radhës me Flamurtarin, si e shikoni këtë takim?

Është një ndeshje radhe siç e thatë edhe ju dhe për këtë besoj se do të jetë veçse një takim i tillë. Rivaliteti është i madh, por do të shkojmë atje për të bërë me të mirën e mundshme, e më pas të shohim çfarë do të marrim si rezultat.

LLAZI SARO





www.minuta90.com