Kapiteni i Pogradecit paralajmëron Lushnjen: I mundim, ua dimë pikat e dobëta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2020 | 0:04

Kapiteni i Pogradecit paralajmëron Lushnjen: I mundim, ua dimë pikat e dobëta

Në Pogradec duan kthesën. Humbja me Apoloninë është “arkivuar” dhe përgatitjet janë përqendruar te Lushnja, një tjetër përballje e rëndësishme. Kapiteni Saimir Jahaj beson se kreu do të rimerret shpejt, por për “Panorama Sport” thekson se tani e tutje gabimet janë të ndaluara.

pogradeci

“E kemi detyrim fitoren me Lushnjën, pasi vetëm kështu eliminojmë në renditje një kundërshtar direkt. Ata janë në vend të dytë, ndaj është shans për t’i parakaluar. Vendin e parë do ta rimarrim shpejt. Humbja me Apoloninë djeg ende, por siç dihet, në të ndikuan faktorë objektivë dhe subjektivë. Tani duhet mjaft qetësi nga ana psikologjike për të harruar atë disfatë, duke filluar nga trajneri e për të kaluar te të gjithë ne”, kështu u shpreh fillimisht mesfushori.

Liqenorët nuk janë të qetë për sa u përket edhe mungesave, mbrojtësi Pura dhe sulmuesi Topllari kanë plotësuar numrin 4 të kartonëve. Pezull është Shkullaku, që nuk është rikuperuar ende nga dëmtimi që ka pësuar. E megjithatë, për Jahajn situata nuk është aspak alarmante. Ai është i bindur te kthesa.

lushnjaaaa

“Vërtet janë dy mungesa të sigurta dhe ndonjë tjetër rrezikon, por ju garantoj se ne kemi forcën e duhur që vjen edhe nga stoli. Në të gjitha kushtet do të japim maksimumin”.

Kapiteni nuk ngurron të japë edhe një opinion për kundërshtarin: “Lushnja është një ekip shumë i mirë, por jo më i fortë se ne. Do të jetë një përballje ku do të luhet gjithçka për gjithçka. Mundet që kundërshtari të jetë i kënaqur me një pikë, Pogradecit do t’ia mohojmë këtë mundësi. Kemi respekt për këtë ekip, por harrojini hapat fals. Është vetëm një ndeshje futbolli, po ne kemi disa ditë që po përgatitemi në të gjitha drejtimet. Ua dimë anët e dobëta kundërshtarit, ndaj edhe do i godasim”.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"