Kapiteni i Lushnjës bën analizën, Sefa: Lojtarët të pamësuar, ja çfarë na mungon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2018 | 18:21

Kapiteni i Lushnjës bën analizën, Sefa: Lojtarët të pamësuar, ja çfarë na mungon

Kapiteni i Lushnjës, Fatjon Sefa, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” është shprehur se skuadra duhet të tregojë “dhëmbët” me fillimin e kampionatit. “Lushnja duhet të guxojë më tepër, për të vetmin fakt se është një ekip që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. Një ekip me emër, me traditë. Mendoj që ky ekip i sivjetmë duhet të tregojë më të mirën. Pavarësisht se kemi zbritur një kategori më poshtë, kemi bërë ndeshje të bukura, kemi bërë futboll edhe aty ku ishim në elitë”, u shpreh kapiteni 34-vjeçar.

Sefa dhe Cela

THIRRJA – “Duhet t’i referohemi faktin që ekipi është ndërthurur midis të resë dhe të vjetrës. Gjë që do të bëjë shumë mirë bashkëpunimi, në ndihmë të këtyre djemve të rinj që kanë ardhur në ekip. Si kapiten i kësaj skuadre doja t’u thosha këtyre djemve që të kenë grintën. Është e vetmja që i mungon Lushnjës për momentin. Sepse me lojërat e mira, futbolli i bukur do të vijë patjetër. Doja t’u thosha edhe tifozëve të Lushnjës të mos e kenë mendjen te ndeshjet miqësore sepse ishin thjesht për t’i shërbyer skuadrës. Kjo skuadër ka brenda Fatjon Sefën, Erjon Xhafën dhe lushnjarë të tjerë që e duan me mish e me shpirt futbollin e qytetit.

Kjo është ajo që ne duam të japim dashurinë për futbollin verdhejeshil të Lushnjës. Duhet ta marrin sa më shpejt këtë gjë. Duke qëndruar pranë nesh me këtë motiv, me pasionin për futbollin e Lushnjës do ta kenë patjetër ndihmën tonë. Them që do të bëhen një grup me ne që të japim më të mirën për Lushnjën tonë. Sepse të gjithë e duam që ta shohim aty ku e meriton në elitë. Siç e kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme objektivi është që Lushnja të ngjitet. Unë dua t’u fus grintën këtyre djemve të rinj, që ndoshta nuk kanë dhe faj. Janë mësuar me ekipet e moshave apo me ekipe amatore. E kanë për herë të parë që militojnë në Kategori profesioniste dhe janë pjesë e një Lushnjë që ka pretendime madhore. Me ndihmë, me të gjitha do të bëjmë diçka të mirë. E vërteta e kësaj Lushnje do të duket në ndeshjen me Tomorin”, përfundoi Sefa.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"