Kapiteni i Laçit replikon me Bushiçin: Nuk e vendosi arbitri ndeshjen me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2018 | 18:02

Kapiteni i Laçit replikon me Bushiçin: Nuk e vendosi arbitri ndeshjen me Flamurtarin

Gentian Selmani e ndoqi nga stoli ndeshjen e fundit që Laçi fitoi kundër Flamurtarit me shifrat 4-2. Portieri dhe njëkohësisht kapiteni i kurbinasve u ndal në momentin e tij më të mirë, teksa po shijonte edhe një rekord sa i përket aktivizimit në Kategorinë Superiore këtë sezon.

Deri një javë më parë 20-vjeçari ishte lojtari me më shumë minuta në fushë këtë kampionat, por dëmtimi do ta mbajë larg fushës edhe për ndeshjen e radhës që bardhezinjtë do të luajnë në Lushnjë. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, talenti që është pjesë e Kombëtares U-21, foli për ndeshjen e fundit, ankesat e Flamurtarit për arbitrat, si dhe iu përgjigj deklaratës së kapitenit të Partizanit.

gentian selmani

Jeni futbollisti më i aktivizuar në Kategorinë Superiore këtë sezon, por “rekordi” u prish pikërisht në momentin kur askush nuk kishte luajtur më shumë se ju. Ndjeni keqardhje që nuk ishit në fushë ndaj Flamurtarit?

Natyrisht, pasi i kisha luajtur të gjitha ndeshjet deri para asaj me Flamurtarin. Më erdhi keq, sepse doja të jepja kontributin tim edhe në këtë takim, por nga një dëmtim i pësuar isha i detyruar që mos të luaja.

Na shpjegoni pak se çfarë dëmtimi keni, pasi keni qenë edhe në qendrën mjekësore të Juventusit?

Në fakt, kisha tri ndeshje që ndieja dhimbje te kofsha e djathtë, por u mundova të sakrifikoj nga dëshira për të luajtur dhe ndihmuar ekipin në çdo lojë. Pas disa terapive që bëra në “Juve Medical”, për momentin ndihem më mirë, por edhe këtë javë ndaj Lushnjës, nuk mund të rrezikoj për të luajtur dhe do të qëndroj pushim. Ndërsa më pas, në takimin ndaj Kamzës, besoj se mund të jem në fushë që nga minuta e parë.

Vlonjatët janë ankuar për dy golat e parë të Laçit. Mendoni se ju dha një dorë arbitri ndaj Flamurtarit për të arritur fitoren?

Mendoj se arbitrat nuk kanë ndikuar në rezultat. Normal që një ekip kur humbet, mundohet edhe të justifikohet. Ne kemi bërë detyrën tonë në fushë. Ekipi ynë ishte i motivuar për ta fituar ndeshjen dhe ia arriti qëllimit.

Kapiteni i Partizanit, Idriz Batha, ka thënë se ekipi i tij ka lojtarë më cilësorë se Laçi dhe Flamurtari, prandaj dhe meriton të shkojë në Europë. Kishe diçka për t’i thënë?

Nuk dua të krijoj polemika me Bathën, por më duket një deklaratë pa baza dhe e nxituar, pasi Partizani këtë sezon, si neve dhe Flamurtarit, nuk ka arritur t’i marrë asnjë fitore. Duket qartë që ne i kemi dominuar dhe shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund për të qenë brenda objektivit.

Laçi është tashmë i treti, mendoni se do ta kapni Europën përmes kampionatit apo shpresat i keni më shumë nga Kupa?

Përderisa jemi në vend të tretë, mendoj se jemi me meritë. Ne do të luftojmë ndeshje pas ndeshjeje, në të dyja frontet. Kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe uroj të mbajmë të njëjtin ritëm.

Çfarë i druheni më tepër në këtë vazhdimësi të sezonit?

Gjëja kryesore është që mos të na kapë euforia. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet një nga një sikur të jenë finale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"