Kapiteni i Laçit operohet me sukses, ja kur pritet të rikthehet në fushën e lojës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 9:23

Kapiteni i Laçit operohet me sukses, ja kur pritet të rikthehet në fushën e lojës

Operohet Eglantin Gjoni. Mbrojtësi ka hyrë në sallë gjatë pasdites së djeshme dhe ndërhyrja kirurgjikale në krahun e majtë është mbyllur me sukses. Lojtari i dëmtuar në ndeshjen që luajtën kundër Bylisit para 4 ditësh u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, e megjithatë vetëm dje u operua.

eglantin gjoni

Mësohet se koha e rikuperimit tashmë është afro dy muaj, por gjatë gjithë kohës gjendja e 26-vjeçarit do të jetë në vëzhgim prej mjekëve. Kujtojmë se kapiteni që prej 2018-ës kishte luajtur 57 takime radhazi me kurbinasit, e megjithatë në javën e 7-të të këtij sezoni u detyrua që ta mbyllte në këtë formë rekordin.

Për bardhezinjtë do të jetë një mungesë e madhe, ndaj trajnerit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mësohet me mungesën e tij të paktën deri nga fundi i fazës së dytë. Pikërisht atëherë pritet që të jetë gati për të ndihmuar skuadrën. Vetë lojtari pasi ka dalë nga salla ka postuar një foto dhe një mesazh, teksa lajmëronte se do të rikthehet më i fortë. “Më në fund, kjo dhimbje do të më bëjë më të fortë. Kurrë mos u dorëzo. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen”, shkruante Gjoni.

laci operohet

MIQËSORJA

Sulejman Starova mbush “pushimin”. Trajneri nuk ka preferuar që skuadra të qëndrojë e lirë këtë fundjavë, ndaj ka menduar që të projektojë një miqësore. Kundërshtar kanë zgjedhur Korabin dhe ndeshja do të luhet nesër në Pezë. Ky test do t’i shërbejë “Bobit” për të mbajtur në tonus grupin, por pse jo edhe për të provuar të tjera skema.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"