Kapiteni i Elbasanit kërkon trepikësh për moral, Duka: Jemi në situatë tejet kritike, por e thyejmë “akullin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 16:43

Kapiteni i Elbasanit kërkon trepikësh për moral, Duka: Jemi në situatë tejet kritike, por e thyejmë “akullin”

Kritike është situata në kampin verdheblu. Elbasanasit nuk kanë koleksionuar asnjë pikë deri në këtë fazë të kampionit dhe rrezikojnë seriozisht misionin “mbijetesë”. Ndeshjet ia lënë radhën njëra–tjetrës dhe vështirësia për arritjen e objektivit final po rritet. Gjithsesi, në klub nuk kanë ndërmend të dorëzohen.

Endrit Duka

Në një prononcim për “Panorama Sport”, është kapiteni Endri Duka ai që mundohet të mobilizojë grupin. Mbrojtësi shpreson te një kthesë në rezultate, që më shumë se për klasifikimin do të vlente për anën morale. “Ne ndodhemi në një situatë kritike dhe këtë e tregon pozicioni që mbajmë në klasifikim. Duhet t’i lëmë pas të gjitha ato që kanë ndodhur dhe të sillemi sikur kampionati për ne nis në ndeshjen e radhës. Në krahasim me rivalët jemi të disavantazhuar, por asgjë nuk ka mbaruar.

Besoj se skuadrës i mjafton një fitore për të thyer ‘akullin’, sepse i kemi potencialet për të rivalizuar me këdo. Jemi ekip që prodhojmë futboll dhe kjo tregon se kemi mundësi për të bërë mirë, thjesht nuk po zhbllokohemi. Në situatën ku jemi çdo ndeshje është kthyer në një finale më vete.

Ne nuk kemi më asgjë për të humbur, ndaj në çdo sfidë do luajmë gjithçka për gjithçka”, u shpreh 33-vjeçari i skuadrës së Elbasanit, i cili prej disa sezonesh mban veshur fanellën e klubit elbasanas. Sakaq, verdheblutë janë duke vijuar normalisht përgatitjet për ndeshjen e fundjavës me Tomorin, të cilën me shumë gjasa do ta luajnë në Cërrik.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"