Kapiteni i Egnatias, flet Allmuça: Luajmë ndershëm, ia dalim për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 21:15

Kapiteni i Egnatias, flet Allmuça: Luajmë ndershëm, ia dalim për mbijetesën

Egnatia është e vendosur që dy ndeshjet e fundit t’i luajë me formacionin e saj me të mirë, pasi vetëm kështu mund të mbajë ritmin për ndeshjen finale të “play out”- it, që do të luhet kundër fituesit të çiftit Korabi-Apolonia. Kapiteni Ilir Allmuça kërkon që grupi të ruajë gjendjen psikologjike, formën dhe fokusin që i duhet për të qenë plotësisht i gatshëm për finalen. Këtë të shtunë rrogozhinasit do të udhëtojnë drejt Shkodrës me synime të qarta.

ALLMUCA

“Fatkeqësisht tashmë jemi në ndeshje shtesë, por gara vazhdon dhe ne duhet ta respektojmë atë. Gjatë gjithë këtij sezoni, Egnatia ka luajtur ndershëm nga java e parë deri më sot. Kështu do të veprojmë dhe në ndeshjet e mbetura. Jemi koshientë se na duhet të ruajmë gjendjen fizike, por edhe atë psikologjike deri në ndeshjen finale.

Nuk mundet që një ekip të karikohet me sustë pas 10 ditësh, kur mendohet se mund të luajmë ndeshjen shtesë. Prandaj, them se duhet të jetojmë me situatën reale në fushë dhe jo të mendojmë se e nxjerrim finalen”, ka thënë fillimisht mbrojtësi i majtë në një bisedë për “Panorama Sport”.

SITUATA – Duke u ndalur te përballja e nesërme në “Loro Boriçi”, Allmuça saktëson se Egnatia do të niset drejt Shkodrës për të luajtur një futboll të bukur. “Trajneri Ramadani, gjatë gjithë javës na e ka bërë të qartë, se pavarësisht faktit se në Shkodër nuk na vlejnë pikët, duhet të luajnë njësoj sikur të na duheshin. Pra, vetëm me këtë angazhim dhe përgjegjshmëri, do të tregonim se çfarë në të vërtetë mund të bëjë Egnatia.

Gjatë gjithë javës, presidenti Demrozi ka qëndruar afër nesh në çdo seancë stërvitore. Në fakt, nuk e fsheh përgjegjësinë që ndiejmë para tij, pasi i jemi borxhlinj në gjithçka. Kemi humbur për javë të tëra dhe asnjëherë nuk jemi ndëshkuar, por kemi futur rrogat në xhep pa asnjë ditë vonesë. Nëse ka diçka për të cilën ndihem keq është pikërisht detyrimi moral që kemi ndaj presidentit tonë”, ka përfunduar kapiteni i rrogozhinasve. Kujtojmë që Egnatia, edhe sikur të fitojë dy ndeshjet e mbetura, sërish nuk shkon dot më shumë se vendi i tetë, që të çon në një ndeshje shtesë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"