Kapiteni i Besës del kundër rrymës: Ja si mposhtet virusi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2020 | 11:38

Kapiteni i Besës del kundër rrymës: Ja si mposhtet virusi…

Ka shumë futbollistë që përtej masave ndaj “COVID-19”, kanë vijuar rregullisht stërvitjen. Një nga këta është edhe kapiteni i Besës, Alket Çelhaka, i cili shprehet pa modesti se nëse nesër rifillon kampionati, ai është 100% i gatshëm për lojë.

besa

Mesfushori kavajas, bashkë me dy “laçianët” e Besës, Lushkja dhe Deliu, si dhe portierët Dajsinani dhe Dobjani, për asnjë ditë nuk i janë ndarë stërvitjes në aneksin e stadiumit, duke sfiduar rrezikun. Kapiteni Çelhaka madje shprehet i bindur se “lufta” më e mirë ndaj “COVID-19” është një trup i fortë, i stërvitur dhe po ashtu një mendje e qetë dhe besimplotë.

Çelhaka, nuk keni frikë, pasi keni vijuar stërvitjen rregullisht në aneksin stërvitor?

Nuk jam mjek, ama përvoja në jetë deri më sot më ka mësuar se sfida e vërtetë e një sëmundjeje mund të bëhet vetëm me një trup të fortë dhe mendje të qetë. Kavaja ka pasur fare pak raste infektimi që sot janë shëruar, kështu që për asnjë moment nuk kam pasur frikë, përkundrazi duke u stërvitur mendoj se kam “luftuar” Koronavirusin. Bashkë me mua janë stërvitur pa ndërprerje edhe Lushkja, Deliu, Dobjani dhe Dajsinani.

Le të flasim për Besën, që do të mbetet në Kategorinë e Parë, ndërkohë që mund të përfitonte ndoshta edhe me vendin e dytë këtë herë, nëse kampionati do të mbyllej këtu…

Askush nuk na e ka fajin, sepse vetë e kemi gatuar klasifikimin aktual. Pavarësisht kësaj, edhe nëse do të ishim kryesues, mendoj se Besa nuk është gati për Superioren. Nuk bëhet fjalë vetëm për ekipin, janë një sërë kushtesh që duhen plotësuar në infrastrukturë. Fatkeqësisht, Kavaja nuk ka stadium dhe gjej rastin të apeloj te bashkia dhe FSHF-ja që të ndërhyjnë sa më shpejt.

Celhaka

Çfarë kuptimi do të kishte që Besa nesër të futej në Superiore dhe të luante në Kukës, Lushnjë e Elbasan? Gëzimi dhe argëtimi është për tifozët dhe nëse ata nuk i gëzohen Besës në qytetin e tyre, s’ka kuptim Besa në Superiore, sipas meje. Kavajasit janë rritur me futbollin dhe si natyrë nuk pëlqejnë imigrimin në stadiume të tjera.

Federata ka menduar të nisë sezoni në fund të majit. Çfarë formule do të ishte më e pranueshme, sipas jush?

Të ndërpritet këtu dhe renditja të mbetet kjo që është. Nëse do të rifillojmë, mendoj se duhet të luhen të gjitha javët pa përjashtim. Le të ngjishen ndeshjet, sepse sipas mendimit tim, 70% e verdikteve dihen tashmë. Janë fare pak ekipe që vërtet kanë objektiv madhor, apo që mund të zbresin një kategori më poshtë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"