Kapiteni i Besëlidhjes: Merkatoja na ka forcuar ndjeshëm, e kalojmë Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 18:31

Kapiteni i Besëlidhjes: Merkatoja na ka forcuar ndjeshëm, e kalojmë Vorën

Kledi Dibra karikon Besëlidhjen. Një ditë para rifillimit të sezonit, kapiteni mundohet që të mobilizojë grupin. Lezhjanët do të përballen me Vorën në transfertë dhe fitorja është detyrim. Derisa duan ngjitjen, zgjidhje tjetër nuk kanë. Një gjë të tillë e thotë edhe mbrojtësi 28-vjeçar, teksa flet për “Panorama Sport”.

DIBRA

“Jemi gati për të rinisur sezonin dhe pretenduar ngjitjen në Kategorinë Superiore. Grupi i formatuar pas merkatos së janarit ka kualitetet e nevojshme për të realizuar këtë objektiv madhor. Prej një muaji po stërvitemi fort. Pjesën më të madhe të kohës ia kemi kushtuar përgatitjes tekniko-taktike, por pa lënë mënjanë edhe atë fizike. Pavarësisht se kemi pasur edhe anomali në program, për shkak të shtyrjes periodike të kampionatit të Kategorisë së Parë, kjo nuk ka ndikuar në gjendjen tonë. Besëlidhja është një skuadër që pjesën më të madhe të historisë e ka në elitë dhe ka ardhur koha të kthehemi aty ku e kemi vendin.

Duhet të bëjmë çmos që t’ia dalim dhe është detyra jonë është ta realizojmë këtë. Momentalisht renditemi në vend të katërt me 8 pikë diferencë me kreun. Kjo largësi nuk është e pakapërcyeshme për një ekip si yni. Kam besim se ky grup futbollistësh do ta rikthejë skuadrën në krye. Të shtunën starton faza e dytë dhe ne do të luajmë në transfertë ndaj Vorës. Po punojmë me intensitet për të shmangur gabimet dhe ta nisim fazën e dytë me fitore. I kemi të gjitha mundësitë për këtë”, përfundoi 28-vjeçari.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"