Kapiteni i Besëlidhjes karikon ekipin për ndeshjet e mbetura: Elitën e kapim nga vendi i 2-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2020 | 8:33

Kapiteni i Besëlidhjes karikon ekipin për ndeshjet e mbetura: Elitën e kapim nga vendi i 2-të

Besëlidhja ka larë duart tashmë me Kupën e Shqipërisë, ku shkoi deri në fazën çerekfinale dhe u eliminua nga Tirana, por edhe me vendin e parë në Grupin A, duke qenë se Kastrioti tashmë është 12 pikë përpara, një diferencë e parikuperueshme. Shpresat e lezhjanëve për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar varen vetëm te ndeshjet shtesë, pra nga sfida me vendin e dytë të Grupit B dhe më pas nga ajo me vendin e tetë të Superiores. Një rrugë shumë e gjatë dhe e vështirë, por jo e pamundur për të shkuar në Superiore.Beselidhja goli

Skuadra e trajnerit Elvis Plori pret nesër Korabin në stadiumin e Lezhës, në kuadër të javës së 21-të të kampionatit. Pas humbjes me Kastriotin, e kontestuar për shkak të gjykimit të njëanshëm, sipas lezhjanëve, Besëlidhja duhet të luftojë fort edhe për vendin e dytë dhe për të qenë në gjendjen e saj optimale në këtë fazë finale të sezonit.

DIBRA – Kapiteni i Besëlidhjes, mbrojtësi Kledi Dibra, është nga ata që nuk dorëzohen lehtë. Ai shpreson ende për Superioren, edhe pse pranon që rruga drejt saj është një malore shumë e fortë. “Dalja zyrtarisht nga Kupa e Shqipërisë na ka çliruar disi, por tani është vonë, pasi matematikisht në kampionat nuk kemi shanse për vendin e parë që të çon direkt në Superiore. Na mbetet në lojë vetëm vendi i dytë, por edhe këtu duhet vlerësim maksimal, sepse nuk e kemi të sigurt.

DIBRA

Presim Korabin këtë javë dhe asnjë rezultat tjetër veç fitores nuk na vlen. Besoj se do t’ia dalim, madje bindshëm. Gjatë javës jemi stërvitur mirë dhe ndeshja e Kupës me Tiranën na ka ndihmuar shumë në funksion të ndeshjes së kampionatit. Ruajtja e vendit të dytë është detyrim për Besëlidhjen dhe këtë jam i bindur se do ta bëjmë duke marrë pikët e plota në ndeshjet e mbetura.

Ne duhet që tani të mendojmë për ndeshjet shtesë, pasi shpresojmë për ngjitjen në Superiore, edhe pse do të jetë mjaft e vështirë. Besëlidhja e ka treguar se mund të mposhtë edhe ekipe të Superiores, madje edhe Partizanin kampion në fuqi, kështu që kemi shanset tona edhe në ‘play offp. Nuk heqim dorë lehtë nga Superiorja”, deklaroi dje kapiteni i Besëlidhjes, Kledi Dibra.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"