Kapiteni i Besëlidhjes bën “mea culpa” : Kemi edhe ne fajet tona…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2019 | 9:32

Kapiteni i Besëlidhjes bën “mea culpa” : Kemi edhe ne fajet tona…

Besëlidhja u grumbullua dje për të vazhduar stërvitjen dhe para saj iu nënshtrua analizës së ndeshjes me Egnatian dhe njëkohësisht gjysmës së parë të sezonit. Lezhjanët e mbyllën në vend të dytë, me diferencë të dukshme pikësh ndaj kreut që mbahet nga Kastrioti, diferencë e thelluar nga barazimi në Rrogozhinë dhe përjashtimi i Shkumbinit.beselidhja

Trajneri Plori ka vendosur që skuadra të stërvitet edhe sot, ndërsa të mërkurën pritet të nisin pushimet dimërore. Në merkaton e janarit te Besëlidhja pritet të ketë lëvizje në të dyja senset, afrime dhe largime, por në këtë moment nuk ka ende emra konkretë.

DIBRA – Kapiteni Kledi Dibra, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, flet për gjysmën e parë të sezonit. “Me ndeshjen ndaj Egnatias në fushën e saj mbyllëm gjysmën e parë të sezonit, një mbyllje aspak dinjitoze për një skuadër si Besëlidhja, por ky është realiteti dhe duhet t’i nënshtrohemi. Ishim të bindur se Besëlidhja është e aftë për të qenë lidere e grupit tonë dhe vërtet kështu doli nga mënyra si kemi luajtur, nga golavarazhi dhe pikët ndaj rivaleve.

Megjithatë, në futboll gjërat nuk shkojnë gjithmonë sipas kualitetit që ke, ndikojnë shumë faktorë që ne i kemi pasur kundër deri tani. Jemi penalizuar nga gjykimi dhe këtë e kemi denoncuar publikisht, edhe fati na ka dënuar. Sikur të mos mjaftonin këto, edhe përjashtimi i Shkumbinit na zgjeroi hendekun e pikëve me kreun. Patjetër, ne futbollistët nuk jemi pa faj, pasi kemi lënë pikë edhe nga neglizhenca dhe tani po e vuajmë në kurriz.Kledi-Dibra

Besëlidhja ka eksperiencë dhe kualitet, që shpresojmë të shtohet në janar, kështu që besojmë se në gjysmën e dytë të sezonit do të rikuperojmë pikët e humbura. Mbështetja e presidentit nuk na ka munguar, ndaj shpresoj shumë se do ta realizojmë për ngjitjen në nivelin elitar, ku skuadra jonë ka një pjesë të mirë të historisë. Duke përfituar nga ky prononcim, i uroj të gjithë kolegët futbollistë, stafin teknik e drejtues t’i kalojnë sa më gëzuar festat”, është shprehur 27-vjeçari shkodran.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"