Kapiteni i Apolonisë, afrikani Diop: Fitore e madhe, nuk dorëzohemi për elitën! Krenar që mbaj shiritin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2022 | 23:39

Kapiteni i Apolonisë, afrikani Diop: Fitore e madhe, nuk dorëzohemi për elitën! Krenar që mbaj shiritin

Kishte diçka më pak se një vit që nuk kishte shënuar dhe e donte aq shumë një gol. Ia doli dhe në momentin e duhur, duke likuiduar një rival direkt. Ismaila Diop e quan të madhe fitoren e Apolonisë kundër Tomorit, por direkt futet në rol. Kapiteni i kërkon ekipit që të jenë kokulur pas këtij 90-minutëshi, pasi gara ka hyrë në një fazë të nxehtë dhe misioni që i kanë vënë vetes kërkon cinizëm.

dIOP

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi 22-vjeçar pohon se ndihet krenar që mban shiritin e bardhejeshilëve.

Një goditje me kokë dhe Diop i jep fitoren Apolonisë. E prisnit?

Ishte një fitore e madhe. E kishim përgatitur me mjaft kujdes ndeshjen, duke ditur forcën reale të Tomorit. Golin pastaj, e dëshiroja prej javësh. Por, rëndësi ka që erdhi në momentin e duhur dhe ndaj një rivali direkt. Ndihem i lumtur që shënova dhe morëm pikët.

Si është të mbash shiritin e kapitenit te bardhejeshilët?

Jam shumë krenar që mbaj shiritin e kapitenit, është privilegj për mua duke ditur rëndësinë e klubit fierak. Besimi që drejtuesit kanë te ne shlyhet vetëm me paraqitje dinjitoze. Unë premtoj gola të tjerë në pjesën e mbetur të kampionatit, sepse rikthimi i menjëhershëm te fitorja na zhbllokon psikologjikisht për sfidat e ardhshme.

Jeni në vendin e katërt në renditje. Mendoni se mund të luftoni deri në fund për elitën?

Nuk e mendoj fare elitën, sepse kemi ende shumë ndeshje për të zhvilluar. Sigurisht që objektivi ynë mbetet i njëjtë, mirëpo ndeshjet duhen marrë me radhë dhe në secilën prej tyre duhet të japim maksimumin tonë.

Nuk ka qenë një sezon i lehtë për ne. E kemi nisur me shumë humbje dhe autokritika jonë ka filluar shumë vonë, thuajse në fundin e fazës së parë. Ndryshe nga e para, faza e dytë ka nisur me rezultate pozitive, aq sa jemi ngjitur në vendin e katërt në tabelën e renditjes. Janë në lojë 30 pikë, ndaj duhet të jemi kokulur dhe të vijojmë punën për të qenë pretendentë deri në fund.

U rikthyet në stadium, sa ju kishte munguar “Loni Papuçiu”?

Të them të drejtën, isha i emocionuar për rikthimin tonë në stadiumin “Loni Papuçiu”. E prisnim prej disa javësh këtë rikthim dhe më në fund erdhi bashkë me një trepikësh shumë të rëndësishëm.

Keni ndonjë mesazh për tifozët fierakë në ndeshjet e ardhshme?

Ishte një ndjesi krejt ndryshe pasi tifozët fierakë na mbështetën përgjatë gjithë ndeshjes. I falënderoj dhe njëkohësisht u them të na mbështesin në çdo ndeshje, sepse nuk do t’i zhgënjejmë.

Kanë mbetur edhe 10 javë dhe objektivi mbetet ngjitja, e realizueshme?

Kemi hyrë në fazën më të nxehtë të kampionatit, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe cinikë në të gjitha ndeshjet.

Është viti juaj i dytë në Fier, si po shkon kjo eksperiencë?

Apolonia është një klub serioz, i përgjegjshëm dhe kjo eksperiencë po më vlen shumë në karrierën time. I gjithë klubi fierak më ka qëndruar pranë në fillimet e mia dhe realisht ndihem si në shtëpinë time. Nuk na mungon asgjë, ndaj ne duhet të japim më të mirën tonë me fanellën.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"