Kapiteni Halili premton një sezon të suksesshëm: Oriku, patjetër në katërshen e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2019 | 13:37

Kapiteni Halili premton një sezon të suksesshëm: Oriku, patjetër në katërshen e parë

Ai është ndër portierët më të mirë të Kategorisë së Parë, falë përvojës së gjatë që ka në futbollin shqiptar. Argent Halili mbron aktualisht portën e Orikut, ndërsa më parë ka veshur fanellat e Flamurtarit, Kukësit dhe Kamzës.

Halilaj

Vitet e fundit është pjesë e bregdetarëve dhe në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni Halili premton një sezon të suksesshëm me Orikun.

Sezonin e shkuar Oriku e mbylli kampionatin në vend të 3-të në grup. Çfarë vlerësimi keni për paraqitjen e skuadrës?

Mendoj se sezonin e kaluar bëmë paraqitje të mirë falë punës dhe përkushtimit të të gjithëve. Të siguroje vendin e tretë në atë grup, nuk ishte aspak e lehtë, por ia dolëm dhe mendoj se Oriku duhet vlerësuar.

Sa i sigurt ndiheni me repartin e mbrojtjes së Orikut?

Lojtarët e mbrojtjes kanë luajtur më parë në Superligë dhe sezonin e kaluar më dhanë siguri dhe besim. Duhet të theksoj se është një punë shumë e mirë e të gjithë ekipit, që më jep shpresë për një ecuri pozitive. Është fryma e skuadrës që na jep besim, lojtarët japin 100%-shin e tyre në stërvitje dhe në ndeshje. Të gjithë janë të gatshëm t’i përmbushin me përpikëri detyrat e trajnerit.

Si ju është dukur gjendja e skuadrës pas miqësoreve të fundit?

Këto ndeshje na shërbejnë shumë në aspektin fizik, por dhe për të pasur një ide të qartë si do të luajmë sezonin e ri. Duhet të kolaudohemi plotësisht që kampionati të na gjejë gati për një tjetër sukses.

Çfarë mendimi keni për formulën e re të kampionatit?

E vlerësoj shumë ndryshimin, sepse tashmë kampionati nuk mbyllet më në përfundim të fazës së dytë. Personalisht, mendoj se përgjysmimi i pikëve nuk ishte në shërbim të ekipeve. Tani gjithçka është ndryshe, skuadrat duhet të luftojnë deri në ndeshjen e fundit, si ato që kërkojnë ngjitjen në Superiore, edhe ato që luftojnë për të qëndruar në këtë kategori.

A keni marrë oferta gjatë periudhës së merkatos?

Të them të drejtën, kisha disa oferta nga Superliga, por situata një kategori më lart nuk është aspak pozitive për disa ekipe. Njëri prej tyre më kishte bërë ofertë, por nuk mund ta pranoja. Vazhdoj të stërvitem maksimalisht me Orikun.

Si një lojtar me shumë eksperiencë, si e parashikoni sezonin e ri?

Na pret një sezon i vështirë, pasi shoh që të gjitha skuadrat po fuqizohen dita-ditës, pavarësisht synimit që kanë në këtë kampionat. Oriku duhet të përmbushë së pari objektivin e parë, që është sigurimi i një vendi në 4-shen e parë. Më pas, pse të mos e provojmë për një vend në Superiore, por kuptohet që duhet punë e madhe dhe përkushtim.

Oriku është dalluar për forcën në fushën e tij. Është tifozëria ajo që ju bën kaq të fortë?

Të gjitha ekipet kanë nevojë për mbështetjen e tifozërisë. Neve nuk na ka munguar kjo mbështetje dhe shpresoj që sezonin e ri të jetë edhe më e madhe, por kjo varet edhe nga puna jonë. Dua të përmend se në sezonin e shkuar dhe në momentet kur patëm ndonjë rezultat negativ, tifozëria ishte aty, e gatshme për të na inkurajuar. Të njëjtën gjë presim edhe këtë sezon.

Si i keni marrëdhëniet me shokët e skuadrës dhe stafin drejtues?

Kam marrëdhënie shumë të mira me shokët e skuadrës dhe me stafin drejtues, pasi të gjithë jemi për t’i shërbyer Orikut. Në çdo skuadër ku kam qenë pjesë, jam munduar të ndërtoj marrëdhënie sa më të mira dhe ia kam arritur.

Enriko Gabaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"