Kapiteni Gurishta: VAR-i goditi Vllazninë ndaj Tiranës, sot do flisnim ndryshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2021 | 20:58

Kapiteni Gurishta: VAR-i goditi Vllazninë ndaj Tiranës, sot do flisnim ndryshe

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ka besimin e plotë se skuadra shkodrane do të kthehet te fitorja që në takimin e radhës për kampionat kundër Egnatias, që do të luhet të hënën në orën 13:45 në stadiumin e Rrogozhinës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi kuqeblu theksoi se sistemi VAR e ka goditur jo pak Vllazninë në takimin me Tiranën.

gurishta

Një gjë të tillë ai e quan faj dhe jo gabim. Për Gurishtën, rruga drejt fitimit të titullit është e gjatë dhe gjithçka mbetet e hapur. Kapiteni nuk kërkon që të gjykohen për vetëm 7 javë, ndërsa është i bindur se me kualitetin që ka Vllaznia do të arrijë të realizojë në fund objektivat e vendosura nga presidenca.

Erdenis, dy humbje radhazi në kampionat. Çfarë nuk po shkon te Vllaznia?
Së pari, më duhet të them se në ndeshje si ajo ndaj Tiranës është më i rëndësishëm rezultati sesa loja e bukur. Unë jam i sigurt, që po të jepej ajo penallti e mohuar në minutën e 14-të, sot do të kishim folur ndryshe. Do të kishin folur të gjithë me superlativa për ne.

Ju besoni se ka ndikuar arbitrimi në rezultatin ndaj Tiranës?
Jam dakord që edhe arbitrat mund të gabojnë, ashtu siç gabojmë ne lojtarët në fushë, por nuk jam aspak dakord që të tilla gabime të vijnë tani, që është edhe sistemi VAR.

Skuadra në fazën mbrojtëse ka shfaqur probleme, si e shpjegoni këtë moment jo të mirë?
Gjithmonë ka vend për korrigjime në çdo repart dhe besoj se ekipi shumë shpejt do të rikthehet te fitoret. Futbolli prandaj është i bukur, pasi janë gabimet ato që ndikojnë direkt në një ndeshje. Është shumë e rëndësishme që ne të përqendrohemi te ndeshja e radhës, sepse ekipi ka shumë kualitet, që të rikthehet te fitoret.

Fakti që humbët me dy rivalë si Kukësi dhe Tirana ua lëkund besimin tuaj për titull këtë sezon apo është shumë shpejt?
Është shumë herët për të folur për titullin kampion. Është mbyllur vetëm java e 7-të dhe nuk duhet të shohim renditjen momentale. E përsëris, unë kam shumë besim tek ekipi që kemi, pasi ka cilësi.

Të hënën luani ndaj Egnatias, është kjo ndeshja e vërtetë që mund të cilësohet si e kthesës për ju pas fitores në Kupë me Pogradecin?
Është ndeshje shumë e rëndësishme dhe do të ketë një vlerësim maksimal nga ne. Egnatia deri më tani ka treguar që është një ekip shumë i mirë dhe që luan futboll të hapur. Në çdo takim besojmë dhe futemi për tri pikë, edhe pse ndonjëherë nuk shkojnë gjërat ashtu si ne i mendojmë. Por, duhet shumë mund dhe djersë që të dalim me kokën lart nga ky takim.

Kur do ta shikojnë tifozët Vllazninë në krye të renditjes?
Vllaznia duhet të rikthehet sa më shpejt te fitoret, kjo është shumë e rëndësishme për momentin. Ajo që unë garantoj është se do të luftojmë shumë që ekipi të shkojë në ato pozicione ku e dëshirojmë të gjithë. E përsëris, kanë kaluar vetëm 7 javë, kampionati është i gjatë dhe shpresoj ta kemi lënë pas atë momentin e keq me rezultate.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"