Kapiteni Çota: Mos ndoshta Janot priste që të hante karkaleca!?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2017 | 16:05

Kapiteni Çota: Mos ndoshta Janot priste që të hante karkaleca!?

Rrëfimi i kamerunasit të Sopotit, Janot Tadjong, dy ditë më parë për gazetën “Panorama Sport”, ka qenë pa dyshim lajmi më i komentuar në ambientin sportiv. Lojtari vendosi të tregonte vuajtjet që ka kaluar në Shqipëri duke arritur deri në kufijtë e mbijetesës. Një rrëfim që ka ngjallur reagime të shumta. Një prej atyre që vendos të tregojë versionin e tij është edhe kapiteni i skuadrës së Sopotit, Mirel Çota, po ashtu një prej atyre njerëzve që i ka qëndruar pranë kamerunasit gjatë kësaj kohe.

Janot tadjong

Çota

“Nuk jam aspak dakord me ato që ka deklaruar Janot Tadjong në gazetë. Nuk është e vërtetë që ai nuk ka pasur ku të ushqehet. Në dispozicion të lojtarëve ka qenë një restorant ku konsumonim të gjitha vaktet. Unë fola edhe me kamerierët dhe menaxherin e atij restoranti dhe ata ishin shumë të zhgënjyer. Ata nuk mund të shkonin të kërkonin futbollistin ku qëndronte.

Duhet të ishte ai që të shkonte aty dhe të konsumonte vaktet, pasi gjithçka ishte bërë e mundur nga klubi. Ne ishim gjashtë lojtarë që shkonim dhe ushqeheshim aty. Mos ndoshta Janot priste që të hante karkaleca apo fruta deti krudo?! Oriz, makarona apo gjellëra nga më të ndryshmet konsumonim edhe ne çdo drekë apo darkë. Na pyesnin ata se çfarë dëshironim dhe ne përzgjidhnim”, rrëfen fillimisht Çota.

Më tej, ai tregon edhe në lidhje me pagesat që i janë bërë lojtarit. “Ai u federua në nëntor dhe pesë ditë përpara ndeshjes së fundit të vitit me Turbinën, ka marrë 80 mijë lekë të vjetër për pesë ditë. Ndërsa, rrogat e dhjetorit do t’i marrim nesër (sot) dhe besoj se edhe ai do të marrë atë që i takon. Me sa di unë, ai e kishte rrogën 200 dollarë në muaj. Për sa i përket biletës së avionit, atë e paguan lojtari, pasi klubi nuk ka detyrim”.

cota ekipi

Po si i shpenzonte paratë Janot, mos ndoshta vendoste baste? “Mbase edhe luante baste, nuk di ta them me saktësi. Ishim një grup shokësh që qëndronim çdo ditë në një lokal dhe shihnim ndeshje. Nuk di të them se pse e ka bërë këtë futbollisti. Mos ndoshta priste që të përfitonte miliona në Shqipëri?! Dihet niveli që ka futbolli shqiptar, sidomos në Kategorinë e Parë”, deklaroi Çota.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"