Kapiteni Çelhaka e quan të kaluar ngërçin: Po vjen Besa e vërtetë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2019 | 17:36

Kapiteni Çelhaka e quan të kaluar ngërçin: Po vjen Besa e vërtetë!

Besa sikur e ka marrë veten pas fitores së fundit në kampionat, edhe pse janë ende shumë larg kreut. Verdhezinjtë kanë pushuar dy ditët e festave për t’u rikthyer sot në stërvitje, por janë ende të paqartë se kur do ta luajnë ndeshjen e radhës.

Besa-Kavaje

Kavajasit vijnë pas fitores së pastër 3-0 ndaj Devollit, që për kapitenin Alked Çelhaka është një tregues i qartë se ngërçi psikologjik që kishte kapur skuadrën është kaluar. Sipas tij, po kthehet ajo Besa që dëshirojnë të gjithë të shohin, një skuadër që jo vetëm luan mirë dhe krijon raste, por edhe efikase. Mesfushori me përvojë nuk e ka ndërprerë stërvitjen, bashkë me sulmuesin Tedi Cara.

Pas stërvitjes së djeshme individuale, Çelhaka për “Panorama Sport” ka theksuar: “Së pari, i bashkohem dhimbjes së gjithë të dëmtuarve nga tërmeti i së martës dhe shpreh solidaritetin tim e të shokëve të skuadrës për familjeve të prekura nga kjo tragjedi. Duke u kthyer te futbolli, mendimi im është se fitorja me Devollin është më shumë se 3 pikë në tabelën e klasifikimit për Besën. Ajo fitore dëshmoi kthesën e ekipit tonë. Kishim zhvilluar më parë ndeshje mjaft të mira në nivel loje, por rezultatet nuk përputheshin me ato paraqitje. Ndryshe ndodhi ndaj Devollit, ku loja jonë u konkretizua me rezultat konkret. Për këtë kishin nevojë më shumë se kurrë, por asgjë nuk ka përfunduar, më e vështira vjen tani. Përpara kemi ndeshjen me Orikumin dhe na duhet të vijojmë me fitore. Personalisht, besoj se ka marrë fund ecuria jonë me oshilacione. Kam bindjen se pas asaj që treguam me Devollin, jemi ajo kthyer ajo Besë që të gjithë donim. Zhgënjimet e javëve të para të kampionatit duhet t’i lëmë pas njëherë e mirë. Nëse nuk vazhdojmë me fitore, atëherë rrezikojmë shumë. Kemi edhe një detyrim moral ndaj presidentit Bizhdili, i cili ka kërkuar të marrim 3 fitore radhazi”.

Një nga hapat e gabuar të Besës ka qenë pikërisht ndeshja e startit të kampionatit ndaj Orikut në transfertë. Kavajasit kaluan të parët në avantazh, por më pas pësuan dy gola nga goditjet standarde dhe u kthyen në Kavajë duarbosh. Ishte një humbje që ndikoi në psikologjinë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Gugash Magani.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"