Kapiteni Beqiri kërkon ndihmën e tifozëve për të mundur Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2017 | 14:50

Kapiteni Beqiri kërkon ndihmën e tifozëve për të mundur Teutën

Përballja me Teutën meriton vlerësim dhe përqendrim për të gjithë aktorët dhe faktorët sportiv në qytetin e Gjirokastrës. Nisur nga rezultatet e fundit që kanë rezervuar sfidat mes dy skuadrave, Luftëtari mbetet pa dyshim ekipi që shihet si triumfuesi i radhës. I këtij mendimi është dhe kapiteni i Luftëtarit, Orjad Beqiri, i cili për “Panorama Sport” pohoi se skuadra beson te trepikëshi në shtëpi.

luftetari flamurtari aribtrat enea jorgji telushi beqiri

“Kemi një ndeshje të vështirë kundër një skuadre që duhet pasur respekt dhe kujdes maksimal, pavarësisht renditjes që ndodhet në këtë moment. Teuta ka në përbërje lojtarë mjaft të mirë. Ndërkohë që nga ana jonë e kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë gjatë kësaj periudhe, ku edhe besojmë se duke dhënë gjithçka në fushë, do dalim me tri pikë në fund të ndeshjes”, u shpreh fillimisht kapiteni Beqiri.

Kushtet e vështira të motit që kanë shoqëruar prej ditësh qytetin e Gjirokastrës duket se nuk e kanë stepur stafin teknik të Luftëtarit dhe ekipin për të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen e nesërme me Teutën. Interesimi i tifozëve gjirokastritë javë pas jave duket se do të jetë një arsye më shumë për të pranuar në shkallët e stadiumit “Gjirokastra” prezencën e tyre, për të cilët Beqiri ka dhe një thirrje:

“Jemi me ju! Gjendemi pranë jush, ndaj dhe kërkojmë mbështetjen e tifozëve gjirokastritë. Së bashku do të bëjmë më të mirën për këtë ekip, ndaj besoni te ne dhe drejtuesit aktual. Luftëtari është skuadra që meriton mbështetje dhe sensibilizim në çdo moment, ndaj dhe ju ftoj të jeni lojtari i 12-të, pjesë e ndeshjes ndaj Teutës!”.

Luftëtari pas 9 javëve të fazës së parë pozicionohet i 8-ti në klasifikim me pikë të barabarta sa dhe Teuta. Diferenca mes golave të shënuar dhe të pësuar e rendit skuadrën durrsake në vendin e shtatë në klasifikim. Nisur nga ky fakt, si dhe atmosfera e skuadrave ballafaquese, takimi i së mërkurës në Gjirokastër pritet të jetë shumë i zjarrtë.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"