Kapet me gjykimin pas humbjes, “shfryn” presidenti i Besëlidhjes: U teprua me 5 minuta shtesë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2022 | 10:38

Kapet me gjykimin pas humbjes, “shfryn” presidenti i Besëlidhjes: U teprua me 5 minuta shtesë…

Besëlidhja kapet me gjykimin. Pranojnë problemet që kanë me sulmin dhe mbrojtjen, por humbjen e fundit ia “faturojnë” arbitrit. U ndëshkuan në të 95-ën minutë dhe në Lezhë e konsiderojnë të tepruar shtesën. Është vetë presidenti Gjok Noka që lëshon këtë akuzë për “Panorama Sport”.

gjok noka

“Humbja erdhi nga shtesa prej 5 minutash që akordoi gjyqtari kryesor Olsi Sokoli. Ndeshja edhe mund të fitohej nga ne, kjo e mbështetur në rastet e krijuara. E megjithatë, rezultati më i drejtë do të ishte barazimi 0-0.

Shtesa ishte e pajustifikuar. Nuk hyri ambulancë në fushë dhe as nuk pati vonesa të qëllimshme, pasi një rezultat barazim i detyron ekipet të luftojnë deri në zhbllokimin e rezultatit. Nuk pati dëmtime, nga ku mjeku vetëm një herë ka hyrë në fushë. Nuk pati situata nervozizmi.

Ne kemi bërë vetëm tri ndërrime. Vetëm VAR-i mund të çojë në të tillë shtesë, por Kategoria e Parë ende s’e përdor. Shtesa të tilla vetëm sa dëmtojnë ekipet, pasi nga një gabim fare i vogël ndëshkohesh në limite dhe nuk ke më kohë reflektimi”. Numri një i klubit ndalet edhe te loja, si edhe rreziku që i kanoset.

“Jam i kënaqur me lojën që zhvilloi ekipi, ndonëse jemi deficit me pikë. Edhe pse ndeshja u mbyll me humbje, kjo edhe për shkaqet që citova më lart, nga stadiumi i Pogradecit kam dalë kryelartë për lojën që zhvilloi ekipi.

Jam optimist për të ardhmen e Besëlidhjes dhe e di që do të reflektojë, duke minimizuar gabimet të cilat na kanë zhytur në zonën e rrezikut. Shumë shpejt do të nisë rruga e suksesit për ne.

Pozicioni ku ndodhemi momentalisht është me të vërtetë i rrezikshëm, por do e kalojmë. Do të dalim nga këto ujëra, pasi diferenca me ekipin e vendit të 5-të është e papërfillshme.

Kur janë edhe 12 javë për t’u luajtur, mundësitë janë. Kam besim se ekipi autokritikën reale do ta bëjë që këtë fundjavë ndaj Korabit”, përfundoi Noka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"