Kapelo i mahnitur nga Herri Kejn, elozhe për sulmuesin e Anglisë dhe tregon favoritin e tij për Botërorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 16:22

Kapelo i mahnitur nga Herri Kejn, elozhe për sulmuesin e Anglisë dhe tregon favoritin e tij për Botërorin

Ish-trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo (73 vjeç), i ka bërë një analizë “Tre Luanëve”, duke i cilësuar ata favoritë për të fituar titullin botëror në Katar. Sipas tij, pika e fortë e Anglisë është kapiteni i saj Herri Kejn, për të cilin ka deklaruar se është një nga sulmuesit më të mirë të të gjithë kohërave.

 

kapelo

Anglia po përgatitet për përballjet kundër Italisë dhe Gjermanisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve, me Kejnin, i gatshëm t’i rrëmbejë Uejn Runit kurorën e golashënuesit më të mirë në historinë e kombëtares.

Kejn është tri gola pas Runit dhe tani është vetëm çështje kohe kur do të thyejë rekordin e ish-lojtarit të Junajtidit.

Duke folur për “Sky Sports”, Kapelo, në lidhje me Herri Kejnin tha: “Ai është lojtari më i rëndësishëm i kombëtares angleze. Mendoj se është një nga sulmuesit më të mirë në histori. Dhe mendoj se do të bëhet edhe më i mirë, pasi ka fatin të punojë me një trajner të shkëlqyer si Antonio Konte. Kejn nuk është një lojtar që e pret topin, ai kthehet mbrapa, merr pjesë që në ndërtimin e aksionit. Ai di të shënojë, por dhe të nxjerrë shokët e tij në pozicion shënimi”.

Don Fabio më pas i është kthyer Anglisë, duke e renditur skuadrën e drejtuar nga Garet Sauthgejt si kandidate për titullin në Katar.

“Jam shumë kurioz për të parë Anglinë, që e shoh favorite. Si ish-trajner i Anglisë, kur drejtoja ‘Tre luanët’ në shtator, tetor e nëntor, ishim në gjendje të fitonim ndaj kujtdo. Në mars e prill ishim disi-disi, ndërsa në qershor kur zakonisht luhet Botërori e Europiani ishim të dërrmuar. Tani që Botërori luhet në nëntor e dhjetor dua të testoj teorinë time”, tha Kapelo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"