Kaosi te Dinamo/ Mospagesa e fushës, tjetër shkak për divorcin, Saliaj: Ikin italianët, kthehet Allmuça

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 11:18

Kaosi te Dinamo/ Mospagesa e fushës, tjetër shkak për divorcin, Saliaj: Ikin italianët, kthehet Allmuça

Ndryshim drastik i situatës në klubin e Dinamos. Presidenca e bluve ka ndërhyrë pas situatës së krijuar ditët e fundit, me rezultate të dobëta dhe largim të tre futbollistëve me përvojë, si Sefa, Muça dhe Alcani. Sipas drejtuesve të mëparshëm, ekipi nuk është paguar kohët e fundit dhe po ashtu nuk është bërë pagesa e fushës në Pezë-Helmës, duke krijuar një borxh prej 8.5 milionë lekësh. 

Ismet Saliaj

Për këtë arsye, siç shpjegon edhe administratori Ismet Saliaj, është ndërhyrë për të mos pasur zhvillime të tjera negative në skuadër. Presidenca ka vendosur që të largohet trajneri Fabricio Kamarata e stafi i tij dhe sot Dinamon do ta drejtojë Igli Allmuça, i larguar prej drejtuesve italianë, bashkë me ndihmësin e tij Julian Brahja. Lajmin e konfirmon për gazetën “Panorama Sport” administratori Ismet Saliaj, i cili shprehet: “Po, është e vërtetë që kemi larguar stafin italian dhe nga nesër (sot) do ta drejtojë skuadrën trajneri Igli Allmuça, së bashku me Julian Brahjen. Presidenca e ka marrë këtë vendim në të mirë të Dinamos. Deri në muajin maj do ta mbajmë vetë, më pas do të studiojmë opsionet. Nesër do të paguhet një rrogë mujore për të gjithë lojtarët. Do të tentojmë me çdo kusht të marrim rezultatet e duhura që ekipi të qëndrojë në Kategorinë e Parë”.

dinamoooo

PRAPASKENA – Dinamo po kalon ditë të vështira në çdo aspekt. Gazeta mëson se ajo që e ka prishur përfundimisht marrëdhënien midis drejtuesve të vjetër dhe italianëve është mospagesa e fushës së kompleksit në PezëHelmes dhe ndeshja e radhës me Besëlidhjen rrezikonte të mos zhvillohej. Drejtuesve të vjetër u ka shkuar fjala se italianët nuk kanë bërë asnjë pagesë për fushën, për stërvitjen dhe ndeshjet zyrtare. Pronari i kompleksit i ka lejuar, duke e shënuar si borxh pagesën e munguar, sepse një person i tretë i njohur i të dyja palëve kishte dalë garant. Por ka ardhur momenti që kjo situatë nuk priste më dhe Dinamo rrezikonte të mos luante më në atë fushë. Drejtuesit e mëparshëm janë habitur për situatën dhe pasi kanë marrë informacion edhe nga lojtarët, kanë ndërhyrë duke larguar stafin italian dhe duke shkëputur marrëdhëniet me drejtuesit italianë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"