Kaosi te Barcelona, si u shkel kodi i hekurt i vendosur nga Guardiola 12 vite më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2020 | 19:49

Kaosi te Barcelona, si u shkel kodi i hekurt i vendosur nga Guardiola 12 vite më parë

Në vitin 2008 Pep Guardiola vendosi të krijonte një kod të brendshëm për të vendosur rregull pas një kaosi total që kishte në sezonin e fundit me Rajkardin në krye të skuadrës. Jo vetëm që shpalli fajtorë dy lojtarët Ronaldinjo dhe Deko, por vendosi rregulla të rrepta. Në atë kohë sekretar teknik i klubit ishte Xhiki Begiristain dhe drejtore e përgjithshme Ana Ksikoi. Të dy ishin të ngarkuar për të shkruar këtë kod disiplinor për t’ua dërguar të gjithë futbollistëve.
pep-guardiola-champions-league-barcelona_3802147
Duhej që të shpjegonin normat minimale të çdo futbollisti brenda klubit dhe jashtë. Kush i thyente, do të përballej me ndëshkime dhe me gjoba të majme. Asnjë lojtar nuk duhet që të qëndronte jashtë shtëpisë së tij pas orës 1 të natës, ndërsa 48 orë përpara ndeshjeve ishte e ndaluar dalja. Ishin të ndaluara sportet e rrezikshme që nuk kishin lidhje me futbollin apo aktivitete të tjera që kishin sado rrezik minimal. Futbollistët duhet që të vinin në stërvitje një orë përpara nisjes. Lista ishte e gjatë me shumë detyrime që futbollistët kishin ndaj klubit. Ky kod i brendshëm ka bërë “ligjin” deri në ditët e sotme, edhe pse pak nga pak forca e tij është zbehur. Largimi i Guardiolës solli shumë problematika.
luis enrike
Me Tata Martinon ekipi u shthur, por kur erdhi Enrike sërish ky kod ishte i ashpër dhe u aplikua sërish, madje më strikt sesa me Guardiolën. Për të sjellë një shembull: lojtarët duhet të firmosnin një dokument në hyrjen e tyre në qendrën stërvitore për të dëshmuar orarin kur futeshin dhe kur largoheshin. Kush vonohej kishte gjobë 200 euro. Nëse ky problem do të ishte i përsëritur, atëherë gjoba rritej. Shumë lojtarë e lanë rrogën e tyre në gjoba dhe Pike ishte rekordmeni.
mesi setien
SI NDRYSHOI- Ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve bëri që të zbeheshin edhe rregullat, sepse secili e mendonte ndryshe. Valverde nuk ishte tip që të ndëshkonte, por kërkonte gjithmonë dialogun me futbollistët. Por kjo formulë funksionoi vetëm në dy sezonet e para, ndërsa në të fundit skuadra u shpërbë. “Arratisja” e Arturit në Andorrë dhe mungesat e Dembelesë pa lajmëruar ishin sinjalet e para se te Barcelona nuk kishte më disiplinë. Por edhe me ardhjen e Kike Setienit, kodi i brendshëm i Barcelonës vazhdon që të shpërfillet. Xherard Pike shkon në ndeshje me biçikletë, duke vënë veten në rrezik, ndërsa në ditën e pushimit bën sporte të rrezikshme në ujë. Situata ka dalë jashtë kontrollit, aq sa Dembele dhe futbollistë të tjerë nuk shkojnë në stërvitje, dhe për më tepër, nuk e njoftojnë klubin. Në skuadër duhet një trajner me dorë të hekurt për të vënë rregull.

GENTJAN ALINAI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"