Kaosi për një tabelë në Gjirokastër, arbitrat dalin me furgon policie pas revoltës së tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2019 | 9:47

Kaosi për një tabelë në Gjirokastër, arbitrat dalin me furgon policie pas revoltës së tifozëve

Rastësi e çmendur që tërbon një tifozëri të tërë, Enea Jorgji i cili këmbëngul në të tijën, rregullorja që nuk ka një interpretim të saktë dhe klubi organizator që kapet i papërgatitur.

marantas tabela

10 minutat e fundit në stadiumin “Gjirokastra” në ndeshjen Luftëtari-Bylisi nuk janë luajtur vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Teksa në minutën e 83-të Luftëtari kërkonte të bënte një zëvendësim, duke bërë gati sulmuesin Aldrit Oshafi, ndodh e papritura e madhe. Arbitri i katërt, Kreshnik Bajramaj, nuk pranonte të bënte ndërrimin, sepse tabela elektronike që kishin gjirokastritët nuk punonte.

Trajneri i Luftëtarit, Jorgos Marantas, u tërbua në këtë moment dhe i kërkoi gjyqtarit Enea Jorgji që të ndërhynte. “Arbitër, si ka mundësi që na mohon zëvendësimin? Nëse nuk e bën këtë, atëherë me çfarë tabele do të sinjalizosh minutat shtesë?!”, i thotë Marantas kryesorit Jorgji. “Ju lutem uluni në stol, këtu drejtoj unë dhe do të bëhet çfarë them unë”, ishte përgjigjja e arbitrit ndaj stafit të bluzinjve. Minutat kalonin dhe ankthi shtohej, në një kohë që ndërrimi nuk po miratohej.

Marantas on Vidnews.

Rastësia ishte e çmendur, pasi përveç tabelës elektronike të gjirokastritëve që kishte dalë jashtë funksionit, në minutat e fundit ngeci edhe ajo që kishin miqtë nga Ballshi. Luftëtari kërkoi të bënte zëvendësimin pikërisht me tabelën elektronike të Bylisit, por edhe kjo e fundit e la në baltë. Momente kaosi, me tifozët që e kishin të vështirë të kuptonin pse nuk bëhej ndërrimi. Por, tersi vazhdoi, sepse klubi gjirokastrit nuk mundi të gjente numra të shkruar mbi kartonë, që deri pak kohë më parë përdoreshin në çdo aktivitet të FSHF-së për ndërrimet e lojtarëve. Si përfundim, Oshafi i Luftëtarit qëndroi 9 minuta në pritje dhe nuk u fut në fushë, pasi gjyqtarët nuk pranuan të bëhej ndërrimi pa tabelë. Një vendim i diskutueshëm, por që mbetet në dorë të arbitrit kryesor.

jorgji marantas

REVOLTA

Penalltia e akorduar për Bylisin, por mbi të gjitha moslejimi i zëvendësimit në fund, bëri që tifozët t’i kontestonin ashpër gjyqtarët dhe veçanërisht kryesorin Enea Jorgji. Pas ndeshjes, policia e Gjirokastrës mori masa të menjëhershme, duke parë edhe revoltën jashtë stadiumit.

arbitrat me polici ne gjirokaster

Një furgon i policisë u fut në pistën e impiantit dhe nga aty mori gjyqtarët dhe i shoqëroi deri në dalje të qytetit, ku më pas ata udhëtuan të qetë me makinat e tyre private drejt vendbanimeve. Ndodh rrallë që në Gjirokastër të acarohen tifozët, por këtë herë, duke qenë se thuajse në çdo ndeshje të këtij sezoni ka pasur penallti kundër Luftëtarit, sportdashësit kanë gjykuar se vendimet e arbitrave kanë qenë me tendencë. Pas ndeshjes, presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, është parë të bisedojë me lojtarët për gjykimin.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"