Kaosi në Komitetin Olimpik, reagon Bezhani: Përpjekje për manipulim në KOKSH

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2020 | 17:04

Kaosi në Komitetin Olimpik, reagon Bezhani: Përpjekje për manipulim në KOKSH

Ditët e fundit Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është kthyer sërish në qendër të vëmendjes, kjo jo për misionin që ky institucion ka në zhvillimin dhe promovimin e sportit, por për shkak të skandaleve që vazhdon të prodhojë në mënyrë sistematike.

bezhani (1)

Rezoluta e miratuar më 9 shkurt u duk sikur i sheshoi disi konfliktet duke bërë që të shikohej drita në fund të tunelit për zgjidhjen e ngërçit në KOKSH, por nuk po ndodh aspak kështu, pasi KOKSH ka nisur sërish të ziejë. Rreth një muaj më parë, presidenti Viron Bezhani theu heshtjen, teksa nëpërmjet një deklarate ishte shprehur se disa anëtarë në komitetin ekzekutiv në bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm, z. Stavri Bello, po tentonin të manipulonin procesin e përzgjedhjes së dy anëtarëve të komisionit teknik për ndryshimet statutore, të cilët propozohen nga asambleja e KOKSH.

Ndërsa vetëm dy ditë më parë në skenë doli skandali i radhës, për mënyrën e votimit për zgjedhjen e dy anëtarëve të komitetit teknik. Disa federata pasqyruan pranë gazetës taria e Komitetit Olimpik, duke vërtetuar se u kërkohej të zgjidhnin mes versionit “online” dhe atij me e-mail. Nga ana tjetër KOKSH kishte bërë të ditur se federatave anëtare u është dërguar edhe opsioni “në sallë” për të zgjedhur, ndërsa shumica kishin votuar që votimi për dy anëtarët e KT të bëhej me email.

Ky veprim i Komitetit Olimpik solli edhe reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku presidenti Armand Duka, nëpërmjet një letre sulmoi hapur drejtuesit e KOKSH. Ndër të tjera Duka akuzoi KOKSH-in se po përdor pandeminë si alibi për të manipuluar rezolutën dhe ndërkombëtarët si kamerdare. Pas gjithë këtij kaosi, ka ardhur edhe reagimi i presidentit të KOKSH, Viron Bezhani.

Ky i fundit, nëpërmjet një deklarate, mbështet federatat, ndërsa thekson se nuk po zbatohet rezoluta. Ai gjithashtu kërkon që përzgjedhja dhe diskutimi për dy anëtarët e komitetit teknik të bëhet në mënyrë transparente në sallë, ndërkohë që dënon përpjekjet për manipulim të këtij procesi.

DEKLARATA E VIRON BEZHANIT

“Në dritën e zhvillimeve të fundit dëshiroj të jap këtë deklaratë për shtyp në cilësinë e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Konstatoj se rezoluta e asamblesë së jashtëzakonshme të KOKSH të dt. 20.02.2020 nuk është duke u zbatuar deri më sot dhe zbatimi i saj po pengohet në mënyrë të parregullt dhe në kundërshtim me vullnetin e asamblesë.

Bezhani55

Në cilësinë e presidentit dëshiroj të deklaroj publikisht se jam dhe do t’i qëndroj zbatimit të rezolutës dhe si rrjedhim është e domosdoshme mbledhja e asamblesë së KOKSH për të diskutuar dhe vendosur dy përfaqësuesit e komisionit për ndryshimet statutore, drejtpërdrejt nga asambleja. Përbërja e komisionit për ndryshimet statutore duhet të ketë domosdoshmërisht dy anëtarë të zgjedhur lirisht nga anëtarët e asamblesë. Ky vullnet duhet të jetë i qartë, i pamanipulueshëm dhe askush nuk mund ta ndryshojë apo tjetërsojë në çdo formë apo mënyrë këtë proces.

Çdo ndërhyrje është e papranueshme. Deklaroj publikisht mbështetjen time ndaj vullnetit të anëtarëve të KOKSH për mbajtjen e një asambleje për zgjedhjen e dy anëtarëve për komisionin e ndryshimeve statutore. Kjo, pasi statuti është kushtetuta e KOKSH dhe në çdo rast duhet të draftohet dhe miratohet në çdo ndryshim me transparencë dhe vullnet të qartë të asamblesë.

Publikisht dënoj çdo përpjekje për të manipuluar zgjedhjen dhe përcaktimin e anëtarëve të komisionit për ndryshimet statutore dhe ftoj të reflektojnë të gjithë personat që po përpiqen të manipulojnë këtë proces duke u tërhequr nga këto tentativa. Presidenti i KOKSH do të punojë gjithmonë dhe në çdo rast në zbatim të statutit, vullnetit të asamblesë si dhe interesit më të lartë të sportit. Viron Bezhani, president i KOKSH”, shkruan Bezhani në deklaratën e tij.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"