Kaosi në KOKSH, anëtari i KE letër ndërkombëtarëve: Anulloni asamblenë, Bello s’ju ka informuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 21:02

Kaosi në KOKSH, anëtari i KE letër ndërkombëtarëve: Anulloni asamblenë, Bello s’ju ka informuar…

Siç tashmë dihet, situ ata në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar ka degjeneruar plotësisht. Kemi akuza të pafundme të presidentit Viron Bezhani ndaj sekretarit të përgjithshëm, për shkelje statuti, vjedhje dhe shpërdorim detyre, aq sa çështja ka shkuar deri në prokurori. Një situatë anormale, ku Komiteti Ekzekutiv ka pezulluar presidentin, ndërsa ky i fundit e konsideron të shkarkuar KE së bashku me sekretarin. 

kokshi

 

Një situatë që ka shkuar deri te ndërkombëtarët, të cilët kanë rekomanduar edhe mbajtjen e asamblesë për të dalë nga kjo situatë. Por ashtu sikurse kishte deklaruar më parë edhe Bezhani, këtë herë është Labo Çapo, një prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, që u bën apel ndërkombëtarëve që ta anulojnë këtë asamble, ku thotë se sekretari Bello i ka keqinformuar për situatën. Ja letra e plotë e Çapos, në drejtim të Jerome Poivey, përgjegjësit të Marrëdhënieve Institucionale dhe Qeverisjes në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

KOKSH

LETRA

“Ju dërgoj këtë e-mail, duke qenë se është bërë publik një e-mail juaji që i është dërguar Komitetit Ekzekutiv të KOKSH, të cilin e mora si njoftim. Lidhur me këtë situatë, dua t’ju sqaroj dhe t’ju shpjegoj si vijon. Dua t’ju falënderoj për kontributin tuaj që po jepni për normalizimin e situatës në Komitetin Olimpik Shqiptar. Ishte me vlera të mëdha rekomandimi juaj për anulimin e projektstatutit të përgatitur nga zv.presidenti dhe i miratuar nga Komiteti Ekzekutiv. Sepse projektstatuti ka probleme serioze në strukturën e votimit.

Me cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv dua t’ju informoj se situata në KOKSH është alarmante dhe e parregulluar. Institucioni i KOKSH nuk funksionon, nuk respektohet Karta Olimpike, Kodi i Etikës, Statuti i KOKSH dhe ligji i sportit shqiptar, pra Komiteti Olimpik qeveriset në mënyrë jo demokratike nga ana e sekretarit të përgjithshëm, i cili ka marrë në dorë çdo veprim dhe kompetencë. Informacionet elektronike që ju kanë ardhur nuk janë korrekte dhe në këto kushte rekomandimi juaj për të bërë asamble të jashtëzakonshme nuk është i përshtatshëm në këto momente. Në qoftë se do të ndodhë kjo, situata do të jetë më e ashpër dhe shumë konfliktuale, ku jo vetëm që nuk do të kishte zgjidhje, por do të ishim në një situatë të theksuar antiligjore dhe shkatërrimtare për KOKSH. Për të zgjidhur këtë situatë unë mendoj dhe propozoj: Duhet ta njihni situatën nga afër sepse informacionet që ju vijnë nuk janë korrekte.

Brenda muajit janar ose shkurt të bëhet një asamble statutore për të rregulluar më parë kuadrin rregullues të zgjedhjeve, pasi në kushtet aktuale çdo proces do të ishte i shtrembëruar. Pas ndryshimeve statutore dhe nën organizim të pavaruar dhe të paanshëm të bëhen zgjedhje të parakohshme, të përgjithshme si për president, ashtu edhe për anëtarët e KE. Kjo nënkupton zgjidhje të organeve drejtuese. Me presidentin, sekretarin e përgjithshëm dhe Komitetin Ekzekutiv aktual, nuk mund të vazhdojë puna normale e këtij institucioni. Ku e kanë të drejtën ligjore sekretari i përgjithshëm dhe disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të pezullojnë presidentin, i cili është zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme.

koks

Në Shqipëri ka kohë që nuk funksionon KAS, disa probleme dhe mosmarrëveshje do t’i zgjidhte KAS-i dhe nuk do t’ju shqetësonim ju. Si ka mundësi që dyert e Komitetit Olimpik mbahen të mbyllura me çelës? Ju dhatë porosi që mbas Asamblesë, të zhvillohej Asambleja Statutore. Pse nuk zhvillohet dhe të bëhen rregullimet në statut? Ky konflikt në KOKSH është një konflikt artificial i organizuar nga sekretari i përgjithshëm dhe disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, e këta persona po e çojnë KOKSH në një konflikt dhe përçarje shumë të madhe e me pasoja. Ju kërkoj ta verifikoni këtë situatë dhe të mbani qëndrime në mbështetje të sportit në Shqipëri. Dua t’ju theksoj një fakt, që këto konflikte janë të përsëritura edhe me presidentë të tjerë të mëparshëm. Ne jemi institucion i vogël dhe me probleme.

Në këto kushte kemi nevojë për ndihmën dhe rekomandimet tuaja. Kërkojmë bashkëpunim që të zgjidhet kjo situatë. KOKSH ka një imazh të keq, ku çdo ditë në rrjete sociale, median e shkruar dhe vizive, bëjnë komente. Unë këtë situatë konfliktuale e kam parashikuar që para dy viteve, dhe kam bërë propozimet e mia për ndryshime statutore në Komitetin Ekzekutiv. Për çfarë po ju shkruaj dhe jam i gatshëm t’ju jap shpjegime të detajuara, shoqëruar me dokumente, dhe të ballafaqohem me këdo. Në vazhdimësi do t’ju dërgoj dy versione të propozuara për strukturën e votimeve. Labo Çapo, anëtar i Komitetit Ekzekutiv NOC Albania”.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"