Kaosi në Federatën Botërore të Peshëngritjes, Masllavica sulm me “spondë” Gjozës: Duan ta rikthejnë shtangën në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 16:57

Kaosi në Federatën Botërore të Peshëngritjes, Masllavica sulm me “spondë” Gjozës: Duan ta rikthejnë shtangën në…

Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF) është përfshirë në një kaos të vërtetë, ku në një hark të shkurtër kohor ka pasur ndryshime dhe dorëheqje të njëpasnjëshme në bordin drejtues, për shkak të skandaleve të dopingut. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Theodhor Masllavica ka dalë me një deklaratë për shtyp si president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. I ardhur në krye të FSHP-së me moton për ta pastruar shtangën shqiptare nga dopingu, Masllavica si shumë federata të tjera botërore kërkon dorëheqjen e drejtuesve aktualë të IWF, por mbi të gjitha në deklaratën e kreut të shtangës bie në sy paralelizmi me situatën pragzgjedhore në vendin tonë.
theodhor masllavica

Masllavica shprehet se e njëjta frymë po konstatohet edhe në Shqipëri, ku i referohet qartë kandidatit për president Elez Gjoza, duke e konsideruar si një element që e ka njollosur sportin e shtangës në skandale dopingu. Më poshtë pasqyrohet deklarata e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes: “Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e vrullshme, por aspak premtuese në gjirin e Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF), teksa brenda pak ditëve është ndërruar 3 herë mbajtësi i postit të presidentit të përkohshëm, ndërsa 3 anëtarë të rëndësishëm të Bordit Ekzekutiv kanë dhënë në mënyrë të bujshme dorëheqjen. Për më tepër, të gjitha këto zhvillime kanë vënë në dyshim pjesëmarrjen e peshëngritjes si sport olimpik në Lojërat e 2024-ës në Paris, ndërsa sporti ynë i dashur rrezikon më së afërmi, të pësojë fatin e boksit, turneun olimpik të të cilit në Olimpiadën e Tokios do ta organizojë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe jo federata përkatëse (AIBA), e diskretituar ndërkombëtarisht. Për këtë arsye, Federata Shqiptare e Peshëngritjes, duke qenë një nga federatat që përtej përfaqësimit të një vendi të vogël, ka shijuar sukses të madh në arenën ndërkombëtare, u bashkohet organizatave simotra për të kërkuar dorëheqjen e Bordit Ekzekutiv të IWF-së dhe mbajtjen e një kongresi të jashtëzakonshëm zgjedhor, nga i cili do të dalin organe të reja drejtuese.
1200px-Federata_Shqiptare_e_Peshëngritjes_Logo.svg
Në mbyllje, Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) shpreh mbështetjen për frymën e re që synon ta çojë peshëngritjen ndërkombëtare drejt një epoke të re të një sporti të pastër dhe të shëndetshëm përkundër përpjekjeve të elementëve regresistë, që duan ta mbajnë këtë sport historik në llumin e dopingut dhe të administrimit nepotik të këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit. FSHP konstaton se e njëjta frymë regresiste, nga elementë që nuk kanë bërë tjetër veçse e kanë njollosur sportin më të suksesshëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, po kërkon të ngrejë kokë edhe në mjedisin e shtangës sonë. Por, Federata Shqiptare e Peshëngritjes i garanton opinionit publik se mbetet e përkushtuar, sikundër ka bërë gjatë dy viteve të fundit, për një sport të pastër dhe pa doping”, shkruan Masllavica në deklaratën e tij.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"