Kaosi me gjobat te Kukësi, Gjici u heq stresin lojtarëve. Një e-mail mërziti keq ekipin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2019 | 23:08

Kaosi me gjobat te Kukësi, Gjici u heq stresin lojtarëve. Një e-mail mërziti keq ekipin…

Humbja ndaj Teutës e mërziti shumë presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Gazeta mësoi se ecuria me ulje-ngritje nuk i pëlqen aspak kreut të klubit, i cili kishte gati një plan masash për ekipin, duke nisur nga gjoba e qershorit që është për ndonjë futbollist të veçantë ose një grup futbollistësh, e deri te kërkesa për të ulur në stol këdo prej lojtarëve që nuk kishte dhënë sa duhej në fushë.

safet gjici

Gjici thirri drejtuesit kryesorë të ekipit për t’u kërkuar llogari për humbjen në Durrës, që duket se i dhemb shumë kreut të klubit. Njëri prej këtyre drejtuesve i sqaroi situatën presidentit, duke i premtuar se ajo do të rikthehej në favorin e tyre dhe kështu ndodhi.

Kukësi, edhe pse ndaj një ekipi modest në Kupë si Shkumbini, fitoi thellë, madje edhe me shumë të rinj në ekip, si Markovanbasten Çema, Fluturim Domi etj. Presidenti Gjici kërkoi një mbledhje të hënën dhe vendosjen e gjobave nga një vartës i tij, por ishte ky i fundit që e bindi të mos kishte mbledhje dhe gjoba, duke qenë se situata është nën kontroll dhe lojtarët do të mërziteshin nga mbledhja dhe aq më tepër nga gjoba.

Por situata mori një rrjedhë gati humoristike. Presidenti Gjici, i cili ishte gati për të vendosur gjoba, i anuloi pas bisedës me drejtuesit e tjerë të klubit. Megjithatë, lojtarëve u kishte shkuar një e-mail nga sektori juridik, ku njoftoheshin se pagesa e muajve shtator-tetor ishte vendosur gjobë. Një orë më pas, lojtarët morën një e-mail të dytë, ku u thuhej se vendimi i parë kishte rënë poshtë dhe gjoba ishte anuluar. Në fillim, ky vendim u prit shumë keq nga ekipi, por më pas gjithçka u kthye në normalitet dhe situata kaloi me humor.

ET’HEMI – Kukësi është një prej klubeve që bëri ndryshime radikale në ekip gjatë verës, largoi 14 lojtarë dhe afroi po aq. Në fillim u duk sikur do të shkonte keq, por e vërteta doli ndryshe. Trajneri Shpëtim Duro arriti në kohë rekord ta kolaudonte ekipin dhe ta përshtaste atë në fushë.

Gjici

Përveçse prodhon lojë, Kukësi po arrin rezultate. Fitoi dy ndeshjet e para dhe barazoi në të tretën, por javët e fundit ka pasur luhatje. Kukësi humbi në Ballsh, në një takim që e dominoi në lojë, fitoi dhe ndaj Tiranës e më pas humbi ndaj Teutës. Në tri ndeshjet e para trajneri Duro kishte në dispozicion dhe dy futbollistët Valon Et’hemi dhe Emiljano Musta.

I pari mbajti në dy takime edhe shiritin e kapitenit, në mungesë të Besar Musollit, ndërsa i dyti shkëlqeu në lojë dhe me gola. E ka ndjerë mungesën e tyre, siç e ka pohuar edhe vetë trajneri Duro në një konferencë për shtyp, duke theksuar se ishin dy lojtarë në formë shumë të mirë dhe të rëndësishëm për ekipin.

Lajmi i mirë është se pas tri javësh mungesë është rikthyer Valon Et’hemi. Lojtari 21-vjeçar dje i është bashkuar grupit dhe pritet të jetë gati ndaj Vllaznisë, ndërsa Musta ende nuk ka dalë në stërvitje dhe po bën terapi intensive. Elbasanasi pritet të jetë i gatshëm në takimin kundër Skënderbeut.

Kështu, para ndeshjes me Vllazninë, trajneri Shpëtim Duro ka një forcë të shtuar në ekip. Sakaq, skuadra është më e motivuar se kurrë, pasi të gjithë e dinë rëndësinë e çdo pike në kampionat. Përveç Mustës, ndaj Vllaznisë Kukësi ka edhe mungesën e Edis Maliqit, i cili u ndëshkua me karton të kuq (dy të verdhë) ndaj Teutës. Kitanovski pritet të zërë vendin e tij në të djathtë të mbrojtjes, ndërsa në të majtë do të rikthehet Blerim Kotobelli.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"