Kaosi me buxhetin e sportit, Sahit Prizreni: Ministria po na detyron të mbyllim zyrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2021 | 20:45

Kaosi me buxhetin e sportit, Sahit Prizreni: Ministria po na detyron të mbyllim zyrat

Është vërtetë e turp shme ajo që po ndodh me sportin në Shqipëri. Në një kohë kur të gjitha shtetet po realizojnë përgatitjet e fundit në prag të Lojërave Olimpike, te ne federatat sportive janë në kolaps total. E gjitha kjo vjen si rrjedhojë e bllokimit të buxhetit, teksa edhe sot fondi grant që akordon qeveria për sportin ende nuk u ka kaluar federatave.

Sahit Prizreni

Deri më tani kemi parë të organizohen aktivitetet kombëtare me lekë xhepi nga drejtuesit e federatave, apo udhëtime në evente zyrtare ndërkombëtare, ku sportistët dhe trajnerët i paguajnë me paratë e tyre shpenzimet edhe pse shkojnë për të përfaqësuar flamurin kombëtar. I fundit që e ngre zërin për këtë problematikë të jashtëzakonshme është Sahit Prizreni, presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes. Prizreni tregon vështirësitë e paimagjinueshme me të cilat po përballlet FSHM, ndërsa akuzon hapur Ministrinë e Sportit për gjithë këtë situatë.

“Javën e ardhshme fillojnë aktivitet kualifikuese për olimpiadën dhe trajneri i Kombëtares po i pret biletat me lekë xhepi. E kanë nxjerrë buxhetin në letër, por deri më sot gjithçka vazhdon të jetë pezull. Nuk e kuptoj për çfarë paguhen këta njerëz që jo vetëm që nuk i shërbejnë sportit, por po e dëmtojnë rëndë atë. Drejtohemi nga një ministri që sportin e konsideron si vrimën e fundit të kavallit. Një institucion tërësisht inekzistent, ndërsa ne nuk dimë ku të ankohemi apo të përplasemi për këtë problematikë të jashtëzakonshme që tashmë është kthyer e përvitshme”, deklaron tepër i irrituar ish-kampioni legjendar i mundjes shqiptare.

I ndodhur në rrethana të tilla, Prizreni bën të ditur se mund të shkohet deri në vendime ekstreme nga FSHM-ja: “Po na dërgojnë në një situatë ku s’na mbetet gjë tjetër veçse të mbyllim zyrat. U dërgojmë shkresa për këtë situatë, ndërkohë që nuk marrim asnjë lloj përgjigjeje. Nuk kemi një derë ku të trokasim për këtë problem kaq madhor dhe nuk e dimë se kur do të zgjidhet”, përfundoi prononcimin e tij për “Panorama Sport”, kreu i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"