Kaos total para Olimpiadës, sporti pa asnjë qindarkë. Thellohet skandali me Fondin Grant

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2020 | 10:42

Kaos total para Olimpiadës, sporti pa asnjë qindarkë. Thellohet skandali me Fondin Grant

Me çështjen e KOKSH tashmë të “zgjidhur”, sporti shqiptar është para një prej situatave më të vështira në të gjithë historinë e tij. Pas një lumi me akuza të frikshme për abuzime kolosale financiare dhe jo vetëm (çështja ka shkuar deri në prokurori), palët në Komitetin Olimpik sheshuan gjithçka për momentin për hir të Lojërave Olimpike. Por si po përgatitet Shqipëria për “Tokio 2020”? Tashmë po lëmë pas edhe muajin shkurt, ndërsa Fondi Grant (buxheti që shteti akordon për federatat sportive) vazhdon të jetë i bllokuar, duke i paralizuar totalisht të gjitha federatat sportive në vend. 

sportistet shqiptare ne olimpiade

Aktivitetet e ngjeshura kanë startuar prej 2 muajsh: peshëngritja hoqi dorë nga dy evente të rëndësishme dhe kualifikuese për në Olimpiadë pasi nuk kishte para për të marrë pjesë. Mundja udhëtoi për në Europian me lekë xhepi. Atletika i dhuroi Shqipërisë medalje në Kampionatin Ballkanik edhe pse udhëtoi drejt Turqisë me stresin e mungesës së lekëve për të paguar biletat, e po kështu të gjitha federatat po “sajohen” me metoda alternative në mënyrë që të mos i humbin garat. Por edhe për sa kohë do të vazhdojë ky turp?

KOKSH-640x345

Në ministri as nuk duan t’ia dinë, për ta gjithçka është në perfeksion. Nëse kërkon ndonjë përgjigje në këtë institucion, duhet presësh me muaj dhe në fund sërish nuk reagon askush. Një institucion që vazhdon të heshtë, ndërsa ajo që po ndodh me sportin është për “Guinness”, ku jemi i vetmi shtet në botë që sportistët shkojnë për të përfaqësuar flamurin kombëtar me paratë e tyre të xhepit. Përveç garave ndërkombëtare, nga ana tjetër aktivitetet kombëtare janë në kaos total dhe në prag anulimi. Në një vit olimpik si 2020-ta, ku Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duhej të kishte gati prej kohësh projektet dhe strategjitë për të shkuar sa më mirë në Olimpiadë, në mënyrën më të turpshme u bën si “dhuratë” sportistëve bllokimin e buxhetit.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"